Trupi i 30-vjeçares Liridona Ademaj, është kthyer në fshatin e saj të lindjes. Ajo u zhvarros të hënën në mëngjes në fshatin e bashkëshortit, Cërmjan, ku ishte varrosur e u rivarros më pas në fshatin e saj ku lindi dhe u rrit, Rracaj
Pesë ditë pas vrasjes, 30-vjeçarja Liridona Ademaj të hënën është varrosur për të dytën herë. Kësaj here në fshatin ku u lind dhe u rrit, Rracaj.
Ajo fillimisht u varros të shtunën në fshatin Cërmjan të Gjakovës, prej nga vjen bashkëshorti i saj.
Por pas arrestimit të bashkëshortit, Naim Murseli së bashku me dy të dyshuar të tjerë për vrasjen e saj, familja Ademaj kërkoi zhvarrimin, e më pas rivarrimin në fshatin ku ajo jetoi për gati 17 vjet.
Ndryshe nga hera e parë, të hënën në pllakën e varrit nuk ishte mbiemri i bashkëshortit.
Përveç familjarëve, në ceremoninë e rivarrimit ishin edhe qindra qytetarë, si dhe disa anëtarë të kabinetit të Qeverisë së Kosovës.
Nga familja e saj sot nuk folën.
E Liridonën e kujtoi si nxënëse të mrekullueshme mësimdhënësja e saj, ish-deputetja, Teuta Haxhiu.
“Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e saj kaq të hershme e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një frikacak e i pa burrë që askush nuk do ta kishte besuar, më së paku ju që vitet më të mira rinore i ndatë me të”, ka thënë mësuesja e Liridona Ademajt, Haxhiu.
Procesin e varrimit e kanë mbikëqyrur policët, të cilët qëndruan afër varrezave.
Familja e Liridona Ademajt ka thënë publikisht se i beson drejtësisë dhe se pret dënime kapitale për të përfshirët në rast.
Mesazhi për drejtësi u shfaq edhe në disa fanella që fëmijët i bartën të veshura gjatë ceremonisë së rivarrimit. Aty kërkohej drejtësi për Liridonën.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës, që fillimisht u raportua si “vrasje gjatë grabitjes”. Gjykata Themelore në Prishtinë, të dielën ua caktoi tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.
Të dyshuar në këtë rast janë Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen në atë mënyrë që ka kontaktuar të dyshuarin tjetër, Granit Plava, i dyshuar për kryerje të vrasjes. I arrestuari i tretë, Kastriot Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për veprën penale, marrëveshje për të kryer veprën penale vrasje e rëndë.
Deri më tash, Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj për rrethanat e të dyshuarve për kryerjen e këtij krimi.