LAJMET E MBRËMJES

Ligji për të cilin BE-ja i bën presion Kosovës mbahet i bllokuar nga Lista Serbe

Brukseli zyrtar u ka kërkuar ligjvënësve të Kosovës që ta miratojnë Ligjin për Liritë Fetare. Por, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se vendimmarrja është duke u mbajtur peng nga deputetët e Listës Serbe

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Kosovës të martën që ta miratojë Projektligjin për Liritë Fetare.
Në një konferencë për media zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se kjo vendimmarrje do të ishte në të mirën e të gjitha komuniteteve.

“Ne bëjmë thirrje që të miratohet Ligji për liritë fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit të mbështesin miratimin e këtij ligji”, ka thënë zëdhënësja Hipper.

E për këtë ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

Ai në platformën X ka rikujtuar se Projektligji është bllokuar nga deputetët e Listës Serbe.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë se ai mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar zëvendësministri Ahmeti.

Sistemi kushtetues i Kosovës imponon që ligjet me interes vital nuk mund të votohen, pa shumicën e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve. 

Deputetët e Listës Serbe thuajse gjatë gjithë mandatit kanë bojkotuar punën e Kuvendit duke pamundësuar kështu edhe votimin e një numri ligjesh.

Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen e Ohrit, në vitin 2023, janë dakorduar për zyrtarizmin e statutit të Kishës Ortodokse Serbe.

Në nenin 7 të kësaj marrëveshjeje përmendet zyrtarizmi dhe ofrimi i një niveli të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare e kulturore serbe.

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në këtë pikë të Marrëveshjes.

Kryeministri Albin Kurti pati thënë se ky obligim do të zbatohet nëpërmjet Ligjit për liritë fetare.