LAJMET E MBRËMJES

Liderët thonë se FSK-ja është e gatshme t’u bashkohet ushtrive të tjera aleate

Në shënimin e Ditës së Forcës, kazerma “Adem Jashari” i ka hapur dyert për vizitorë, të cilët kanë pasur rast të shohin pajisje ushtarake e armatime të ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se në shënimin e kësaj dite kujtojnë edhe sakrificën e madhe të popullit e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse, kryeministri Kurti ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e bashkimit dhe krenarisë së vendit

Dy ushtarë po qëndronin në hyrje të kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, për t’u ofruar mirëseardhje vizitorëve të shumtë që kishin ardhur të hënën për të shënuar Ditën e Forcës. Nga liderët shtetërorë është quajtur edhe ditë krenarie në kujtim edhe të sakrificës së popullit e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që po shoqërohej nga kryeministri Albin Kurti, ministri i FSK-së, Ejup Maqedonci e komandanti Bashkim Jashari, është shprehur e bindur se secili ushtar e ushtare e mban këtë uniformë me krenari dhe është i gatshëm të japë jetën kur këtë e kërkon atdheu.

“Sot është Dita e Forcës, është ditë krenarie jo vetëm për ushtarët e ushtrisë sonë, por për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë tonë Çlirimtare. Për të ardhur deri në këtë pikë është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. Prandaj, jam e bindur se secili ushtar e secila ushtare e mban këtë uniformë më shumë krenari dhe është i gatshëm që të jap edhe jetën për atdheun në qoftë se është nevoja”, ka thënë Vjosa Osmani, pasi është njoftuar me pajisjet e armatimin e FSK-së. “Forca e Sigurisë është forcë e cila është trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s, forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqen e sigurisë në rajon, por edhe përtej duke shërbyer së bashkë me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë e tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke e dëshmuar se tashmë ajo është e gatshme t’u bashkohet ushtrive të tjera aleate në aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit në aleancën e NATO-s”.

Osmani ka premtuar se bashkë me institucionet e tjera do të punojnë që të ketë kushte më të mira, qofshin ato të mirëqenies e shëndetësore, trajnimeve e shkollimit shtesë, në mënyrë që, sipas saj, çdo ushtar dhe çdo ushtare të ketë më shumë vullnet e motiv të kontribuojë për këtë forcë.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me FSK-në vendi është shumë më i sigurt.

“Sot bashkë me presidenten, me komandantin dhe me ministrin patëm rastin të vizitojmë ekspozimin e pajisjeve dhe armatimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila është forca e bashkimit dhe krenarisë sonë. Pamë që këtu sot kanë ardhur për vizitë të gjitha moshat pa dallim prejardhje, të dy gjinitë, gjithashtu të gjitha etnitë dhe është një ditë e gëzimit ku ne në të njëjtën kohë përkujtojmë edhe ata që sakrifikuan, por në të njëjtën kohë edhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë”, është shprehur Albin Kurti.

Kurti ka folur edhe për investimet në FSK, ku sipas tij, për më pak se tre vjet e kanë dyfishuar buxhetin për Ministrinë e FSK-së, i kanë trefishuar investimet në armatim dhe i kanë katërfishuar trajnimet e shkollimet e oficerëve dhe ushtarëve jashtë vendit.

“Në të njëjtën kohë ne e kemi të qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nesër e kemi 28 Nëntorin që e shënojmë në kujtim të trinisë të flamurit të kuq me shqiponjën dykrenore të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë dhe të Adem Jasharit në Prekaz. Andaj me krenarinë e lavdishme që kemi për hir të së kaluarës, me përplot optimizëm, shpresë dhe përgjegjësi ecim drejt së ardhmes”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ndërkohë, 86-vjeçari Asllan Thaçi nga Stankovci i Vushtrrisë, ka thënë se gati secilin ai e viziton këtë kazermë.

“Qysh me kanë ma mirë. Jeta jem me prit koka mirë, s’kam besu, që erdh fati për merak. Kënaqësi, u kënaqëm”, është shprehur i emocionuar ai.

E vizitorët më të shumtë në kazermën “Adem Jashari” ishin nxënës të shkollave, të cilët ishin kujdesur që edhe ngjyrat e rrobave të tyre t’u përgjigjeshin festave të nëntorit.