Krerë të institucioneve dhe liderë të partive politike dhanë porosi për solidaritet e për bashkëpunim qytetar në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët u pritën nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Në këtë vizitë, kryeministri Albin Kurti kujtoi dëshmorët imamë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ish-krerët e UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë.
Në sallën e rinovuar në selinë kryesore të Bashkësisë Islame, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, hapi dyert për pritjen e përvitshme të mysafirëve për nder të festës së Fitër Bajramit.
Solidariteti e bashkëpunimi janë disa nga ato që e veçojnë këtë festë, tha presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në selinë e Bashkësisë Islame.
“Lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet, begati dhe bekim të Zotit në secilën familje, në secilën shtëpi. Shpresoj që kjo festë dhe i gjithë muaji u shenjtë i Ramazanit dhe fryma që përshkon secilën familje dhe secilën shtëpi në këtë muaj të shenjtë të jenë inspirim për secilin qytetar që kjo frymë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj të tjerëve të vazhdojë gjatë tërë vitit”, tha Osmani.
Në vizitë ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili kujtoi dëshmorët imamë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë pranverë gjithashtu përkujtojmë me nderim të thellë edhe 37 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që vijnë nga radhët e imamëve e hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, tha Kurti.
Myftiu i Kosovës priti edhe liderët e partive opozitare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në urimin për besimtarët myslimanë, përmendi ish-krerët e UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë.
E kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bënë thirrje për solidaritet e dashuri ndaj kombit.
“Shpresojmë që këto vlera të vazhdojnë edhe në 11 muajt tjerë sepse janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për shoqërinë tonë dhe po ashtu si në çdo festë tjetër shfrytëzoj rastin që prej këtu tua urojmë festën e Bajramit miqve tanë, udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themeluesve të saj, të cilët janë në Hagë, duke uruar që bajramet e ardhshme dhe festat tjera t’i festojmë bashkërisht këtu në Kosovë”, tha Memli Krasniqi.
“Le të shpresojmë që vlerat e kësaj feste të muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë vlera njerëzore të popullit të Kosovës gjatë gjithë kohës. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, le të jemi më solidarë me njëri-tjetrin dhe tu dalim në ndihmë të gjithë atyre në nevojë”, tha Abdixhiku.
“Bajrami është festë që na bashkon, festë e harmonisë me shpresën që me gëzim t’i kalojmë jo vetëm festat por edhe jetën në përgjithësi në Kosovë. Jeta jonë dhe festat tona kanë kuptim kur kemi njerëz të vyeshëm e atdhetarë, kur sa më shumë prej nesh jemi të vyeshëm dhe atdhetarë”, tha Haradinaj.
Për festën e Fitër Bajramit, në selinë e BIK-ut ishte edhe Ipeshkëvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për më shumë angazhim për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratat e reja.