LAJMET E MBRËMJES

Lëvizja Studentore e 1997-s vlerësohet lart në përvjetorin e saj

Janë bërë 27 vjet nga protesta e Lëvizjes Studentore kundër masave represive të regjimit serb. Më 1 tetor të vitit 1997, ato u organizuan për të kundërshtuar masat shtypëse të regjimit të Millosheviqit dhe për të kërkuar lirimin e hapësirave universitare për studentët shqiptarë. 27 vjet më pas, ky organizim është vlerësuar si katalizator i ndryshimeve pozitive që patën ndikim edhe në shtetndërtim

Lëvizja Studentore e 1997-s është kujtuar të martën në një sallë plot me gjenerata të reja studentësh e organizatorë të demonstratës së para 27 vjetësh në Prishtinë.

Në nder të protestës paqësore përmes së cilës u kundërshtuan masat shtypëse të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, 1 tetori shënohet edhe si Dita e Studentit.

Përpjekja dhe kontributi i studentëve të 97-s, është vlerësuar si katalizator i ndryshimeve pozitive që pati ndikim edhe në shtetndërtim.

“1 Tetori është një ditë me domethënie të veçantë, jo vetëm për studentët, por edhe për profesorët që ishin studentë të këtij universiteti. Jo vetëm për simbolikën që mban për arsim dhe dije, por edhe për përkujtesën që studentët dhanë si kontribut në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Universiteti i Prishtinës, edhe pse me një histori relativisht të shkurtër, mbi vete mbart një të kaluar shumë të lavdishme dhe të pasur. Ka qenë gjithmonë promotor i ngjarjeve të rëndësishme që kanë udhëhequr zhvillimet në Kosovë”, ka thënë Avni Hajdari, prorektor për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës.

Demonstratat me kërkesën për lirimin e hapësirave universitare për studentët shqiptarë, u vlerësuan si kthesat më të mëdha historike për Kosovën.

Kjo datë e kontributi i atyre që ngrenë zërin 27 vjet më parë janë kujtuar edhe nga gjeneratat e tanishme të studentëve.

“Data 1 tetor ka një domethënie të veçantë për ne si studentë. Ajo nuk është vetëm një ditë kalendarike, por një simbol i qëndresës, përkushtimit dhe sakrificave të brezave, të studentëve para nesh. Në vitin 1997, shumë prej tyre u ngritën me guxim për të kërkuar liri në arsim, për të kërkuar një të ardhme më të ngritur për vete dhe vendin e tyre”, ka deklaruar Blerta Zeqiraj, kryetare e Parlamentit Studentor.

Dy nga protagonistet e protestave e kujtuan 1 tetorin si nevojë për ta ndryshuar situatën dhe për ta realizuar të drejtën për arsimin në gjuhën amtare.

“Sot të dalësh në një protestë është shumë e lehtë, sepse jetojmë në një vend demokratik, rrethanat kanë ndryshuar, përderisa atëherë, të dilje me një protestë, të ishe aktiviste me një lëvizje qysh ka qenë lëvizja studentore, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe nuk e kanë bërë shumica këtë punë, kemi qenë një grup i vogël i vajzave që i jemi bashkëngjitur lëvizjes dhe kemi qëndruar deri në fund”, ka thënë Remzije Shahini Hoxhaj, organizatore e protestave në atë kohë, e tash profesoreshë në UP.

Në manifestimin e së martës të organizuar nga Parlamenti Studentor në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, e pranishme ishte edhe Mihane Salihu Bala, një ndër organizatoret e protestës së 1 tetorit 1997.

“Kur i shohim ato fotografi, 51 për qind ishin vajza, pak prej nesh kanë dalë në front, janë publikuar e kanë dalë të flasin, por i gjithë organizimi teknik, moral, i vullnetit të mirë të asaj që është bërë, është bërë nga të gjithë ne, e në veçanti nga studentet që kanë qenë pjesë e secilës hallkë të organizimit të Lëvizjes paqësore të Unionit të pavarur të studentëve të UP-së”, ka thënë Salihu Bala.

Në përvjetorin e 27-të, disa nga anëtarët e Këshillit të Protestave të vitit 1997 u nderuan me mirënjohje.

Protesta studentore e 1 tetorit 1997 u pasua me protesta dhe demonstrata gjithëpopullore kundër pushtuesit serb.

Në atë protestë dhe të tjerat ishin arrestuar e rrahur profesorë, studentë e pjesëmarrës të tjerë.