LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja ende pa përgjigje në ftesën e Kurtit për takim

Votat që janë duke i munguar për konstituimin e Kuvendit e formimin e Qeverisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke i kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja është i vetmi subjekt politik, me përjashtim të atyre të komuniteteve joshumicë, që Kurti i ka dërguar ftesë zyrtarisht për t’u konsultuar në lidhje me dy proceset që i paraprijnë formimit të institucioneve, pas certifikimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u parë si adresë bashkëpunimi nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re.

Kryetari i Vetëvendosjes, njëherësh edhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, të dielën ka ftuar zyrtarisht kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takim.

Në letrën drejtuar Abdixhikut, Kurti ka ofruar disa orare për takimin eventual.

“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ftesa të tilla për konsultime për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e Qeverisë së re, siç ka marrë vesh KOHA, nuk u janë përcjellë edhe dy subjekteve të tjera politike: Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në lidhje me arsyet e një veprimi të tillë, përgjigje nuk kanë kthyer nga Lëvizja Vetëvendosje.

E ftesës së Kurtit përgjigje ende nuk i kanë dhënë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Javën e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar përfaqësues të komuniteteve, me përjashtim të Listës Serbe, të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend. 

Derisa nga një pjesë e tyre ka marrë konfirmimin për mbështetjen, disa prej deputetëve kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të e për të kanë pasur edhe kërkesa.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Në mënyrë që Kuvendi të konstituohet, kandidatin e saj për kryeparlamentar duhet ta mbështesin së paku 61 deputetë, aq sa nevojiten edhe për formimin e Qeverisë.