Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për zyrtarët publikë, që u ndryshua nga Kuvendi një javë më parë. Sipas deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, me disa nga nenet e plotësuara, pushteti aktual po mundëson shtrirjen e ndikimit politik mbi administratën publike. E ai i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se administrata është investim afatgjatë dhe nuk do të lejohet që ajo të shkatërrohet
Ndryshimet që Kuvendi i ka miratuar në Ligjin për zyrtarët publikë një javë më parë, grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike i ka deponuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të enjten në mesditë.
Deputetë të kësaj partie opozitare kanë kërkuar nga Kushtetuesja të vlerësojë pranueshmërinë e disa neneve, për të cilat kanë vlerësuar se mundësojnë ndërhyrjen direkte në administratën publike.
“Kemi të bëjmë me ushtrues të detyrave të zyrtarëve të lartë, pjesa tjetër që ka të bëjë me stafin e mesëm që quhet, dhe që nënkupton kapjen tërësisht politike me emërimet dhe riemërimet e tyre që nuk bazohen në performancë, por bazohen në preferenca politike. E kjo me të vërtetë është tepër e paparanueshme”, ka thënë deputeti Armend Zemaj.
E në orët e pasdites së të enjtes, ky ligj është sfiduar në Kushtetuese edhe nga deputetët e partisë tjetër opozitare, PDK.
“Sikurse këtë të fundit, kur dy vite më parë e dërguam në gjykatë, ashtu edhe tani ndryshim-plotësimin e tij, e kemi dërguar për të pamundësuar politizimin e partizimin e administratës publike dhe për të parandaluar degradimin e sistemit të meritokracisë, karrierës dhe pavarësisë së administratës, detyrë e të cilës është t’i shërbejë me zell e profesionalizëm të gjithë qytetarëve pa dallim, e të mos kthehet si instrument politik i pushtetit”, ka shkruar në Facebook deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri.
Me ndryshimet që janë bërë në ligj, një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të një institucioni, mund të mbahet me ushtrues detyre deri në dy vjet, nga 6 plus 6 muaj sa ka qenë në ligjin bazik.
Përveç kësaj, LDK-ja ka kundërshtuar edhe nenin 102 për aktet e emërimit, për të cilin është shprehur drojë se mund të keqpërdoret politikisht.
Deputeti Zemaj shprehu pritjen se Gjykata do t’i kontestojë plotësim-ndryshimet e miratuara, pasi tha se pushteti nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e disa institucioneve ndërkombëtare.
“Besoj dhe shpresoj të kemi një verdikt plotësisht mbi atë që ne e kemi kundërshtuar. Duke marrë për bazë se nuk janë marrë vërejtjet dhe as sugjerimet e Këshillit të Evropës dhe as të Komisionit të Venecias dhe kjo është me të vërtetë për të të ardhur keq se në çfarë mënyre ka insistuar dhe insiston ky pushtet aktual të politizojë administratën në Republikën e Kosovës”, ka thënë Zemaj.
E Tahiri i PDK-së, ka shkruar se kjo administratë e këta zyrtarë publikë, janë investim afatgjatë i shtetit dhe i partnerëve dhe nuk do të lejohet që t’u nënshtrohen presioneve e agjendave politike.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i verës së vitit 2023, i konfirmoi në tërësi pretendimet tona, ndërsa Kuvendi me këtë rast, ishte i obliguar që brenda gjashtë muajsh t’i adresojë të gjitha shkeljet”, ka shkruar tutje ai.
Ligjit aktual për zyrtarët publikë, në gusht të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ia pati rrëzuar rreth 10 nene, pa të cilat është dekretuar.
Edhe atë kohë, ligji ishte atakuar në Kushtetuese nga dy partitë opozitare, LDK-ja dhe PDK-ja.