Thellim të krizës energjetike ka paralajmëruar Lidhja e Demokratike të Kosovës, duke e kritikuar qasjen e Qeverisë në këtë drejtim.
Në një konferencë të mbajtur këtë të martë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka potencuar se KEDS-i, KESCO e KOSTT-i janë zhytur në borxhe të mëdha.
“Sot të gjithë operatorët ekonomikë në sektorin e energjisë, disa prej tyre privatë dhe disa publikë janë në borxhe të thella për shkak që Qeveria nuk ka arritur ta disbursojë asnjë euro nga 90 milionë të subvencionit të cilin e ka dhënë. Sot KEDS i ka borxh KEK-ut 71 milionë euro borxhe, KESCO i ka borxh rreth 21 milionë euro, ndërsa KOSTT-i është në borxhe të mëdha për energjinë elektrike të cilën e ka tërhequr nga rrjeti të transmisionit evropian, dhe kështu i tërë sistemi është i zhytur në borxhe”, tha Bajrami.
Ajo ka shtuar se reduktimet e gjata i bëjnë kompanitë jokonkurrente, me ç’rast shkojnë drejt falimentimit.
Në këtë parti kanë propozuar një plan 10-pikësh për ta përballuar krizën.
“Kjo qeveri e papërgjegjshme nuk bëri asgjë për të përballuar krizën, për të mbështetur qytetarët dhe për t’ua lehtësuar barrën që rëndon mbi ta. Qeveria duhet të veprojë menjëherë sepse nuk ka më kohë për të humbur. Prandaj, propozojmë një plan të dhjetëpikësh që do të ketë efekte të menjëhershme dhe afatgjata në uljen e shpenzimeve për qytetarët dhe kompanitë dhe stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji për vendin tonë”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
Në mesin e 10 pikave të këtij plani, mes tjerash, është edhe pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milionë eurosh për çmimin e energjisë elektrike, krijimi i subvencioneve të reja dhe largimi i tarifave diskriminuese.