LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja akuzon Qeverinë për korrupsion

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të hënën organizoi tryezë me titullin “Abuzimi me paranë publike nga Qeveria e Kosovës”. Deputetë të kësaj partie opozitare e akuzuan Qeverinë për keqpërdorim të buxhetit

Kritika e akuza të shumta për korrupsion e keqpërdorime i kanë drejtuar Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti deputetë të Lidhjes Demokratike gjatë një tryeze të organizuar të hënën me titullin “Abuzimi me paranë publike nga Qeveria e Kosovës”.

Deputeti Avdullah Hoti ka thënë se qytetarët pa nevojë gjatë vitit që shkoi u detyruan të paguanin 33 për qind më shumë për tatimin në pronë. 

“Qytetarët dhe bizneset gjatë vitit 2023 kanë paguar 33% më shumë tatim në pronë sesa në vitin paraprak pa asnjë nevojë. Gjatë vitit të kaluar blerjet për rezerva shtetërore kanë qenë 21 milionë dhe këta janë krenuar për këto rezerva shtetërore. Në buxhetin e vitit 2023 janë paguar 31 milionë euro avancë për siguri, për të cilat nuk ka asnjë informatë se çka kemi paguar dhe nga kanë ardhur këto mallra. Tek subvencionet dhe transferet në vitin 2023 janë paguar 185 milionë euro. Gjatë mandatit të kësaj qeverie si asnjëherë më përpara janë paguar 520 milionë euro subvencione të ndryshme”, ka thënë Hoti.

Foli edhe për investimet kapitale. Sipas tij, ato kanë qenë në nivelin më të ulët ndonjëherë.

“Investimet kapitale kanë qenë në nivelin historikisht më të ulët ndonjëherë, gati janë të përgjysmuara, kanë rënë në 11 për qind të buxhetit, në krahasim rreth 20 për qind që ka qenë nga qeveritë paraprake. Ekonomisë së Kosovës i mungojmë rreth 1 miliard euro, diferenca mes asaj që është planifikuar ndaj asaj që është realizuar. Në vitin 2023 janë dhënë 60 milionë avanca për investime kapitale, në qeveritë paraprake baza vjetore ka qenë 3-4 milionë. Shenjë nuk shihet as tek investimet kapitale, arsimi, shëndetësia, siguria, në asnjë sektor, se ku kanë shkuar të gjithë këto mjete”, ka shtuar ai.

E deputetja Hykmete Bajrami kritikoi qasjen e Qeverisë në shpenzimin e parasë publike, e si keqpërdorim i cilësoi kontratat njëburimore.

“Një pjesë e madhe e buxhetit gjatë këtyre tre vjetëve ka shkuar në subvencione dhe transfere, dhe këto si LDK i kemi quajtur skema të korrupsionit publik. Për tre vjet kur është aprovuar buxheti është votuar, nuk ka pasur qindra miliona euro të cilat kanë qenë të destinuara për subvencione dhe transfere, por të gjitha këto kanë qenë të fshehura. Për tre vjet janë nënshkruar 781 kontrata njëburimore prej nivelit qendror në shumë prej 209 milionë eurosh dhe kjo ka vazhduar edhe në vitin 2024 edhe në tremujorin e parë janë dhënë edhe 100 kontrata në vlerë prej 30 milionë eurosh ky është korrupsion, keqpërdorim i detyrës zyrtare sepse ftohen kompanitë të cilat njihen dhe gjithashtu është dëmtim i buxhetit të Kosovës”, është shprehur ajo.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kritika dha për shpenzimet në listën esenciale të barnave.

Sipas tij, për këtë kategori janë shpenzuar 330 për qind më shumë sesa në vitin paraprak.

“Për sektorin e shëndetësisë ajo çka është e faktuar edhe nga kërkesa në qasjen e dokumenteve publike, ne kemi marrë informata se pas hartimit të listës esenciale për barna vlera e kontratave për barna të cilat janë krijuar me insistimin e kësaj qeverie në vlerë më shumë se 330 për qind më shtrenjtë sesa ato të vitit paraprak. Favoret janë bërë për kompani të veçanta, ku vetëm njëra kompani përfituese ka arritur që të sigurojë më shumë se 27 milionë tenderë nga buxheti 60 milionësh që jepet për listën esenciale të barnave. Çka është skandal më vete se hartuesit për shpërndarjen e barnave për listën esenciale tashmë janë udhëheqës të këtyre kompanive. E keqja e kësaj është se këto barna janë për sëmundje të rralla, sidomos për ata persona që janë me kancer dhe kjo është tregues i fytyrës së vërtetë”, ka theksuar ai.

Ditëve të fundit nga kryeministri dhe zyrtarë të opozitës po përmendet gjithnjë e më shumë mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.