Zyrtari i rezervës shtetërore në Ministri të Tregtisë, Ermal Kutllovci, i cili ka sinjalizuar dhe kundërshtuar procesin e rezervës shtetërore më 2022, është larguar nga puna në shërbimin civil. Në arsyetim të vendimit thuhet se ai nuk ka respektuar hierarkinë dhe ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj ministres. Ndërsa Kutllovci e ka akuzuar atë për “kërcënim të hapur”, teksa vendimin për largim e ka konsideruar arbitrar dhe të diktuar e imponuar nga, siç ka thënë, presioni i paparë politik
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka larguar nga puna zyrtarin e rezervës shtetërore, Ermal Kutllovci, i cili kishte alarmuar dhe kundërshtuar procesin e furnizimit me produkte për rezervën shtetërore në vitin 2022.
Kutllovci përmes një postimi në Facebook, të martën, e ka quajtur vendimin arbitrar dhe të diktuar e imponuar nga, siç ka thënë, presioni i paparë politik. Ai ka akuzuar ministren Rozeta Hajdari se në një vizitë bashkë me kabinetin e saj në Departamentin e Rezervës Shtetërore e ka kërcënuar hapur duke i thënë “mbylle gojën” dhe ka kërkuar inicim të procedurës disiplinore.
“Sot urdhrin politik të ministres Rozeta Hajdari e përfilli absolutisht komisioni disiplinor, i cili nxori vendim skandaloz për largim nga marrëdhënia e punës, natyrisht vendim arbitrar të diktuar e imponuar nga një presion i paparë politik. Ju që më njihni personalisht e familjarisht besoj e dini, unë kurrë nuk jam zmbrapsur e as nuk zmbrapsem në rrugëtimin e drejtë e të ligjshëm. Pra unë jam i njëjti i pandryshueshëm dhe i pakompromis në respektim të ligjshmërisë”, thuhet në reagimin e tij.
Kutllovci, i cili thotë se ka 14 vjet që është pjesë e MINT-it, ka deklaruar se ka qenë zyrtari që iu ka thënë jo proceseve të kundërligjshme, e me shumë të panjohura siç është ai i furnizimit me rezerva shtetërore më 2022.
“Po unë jam ai i cili në vazhdimësi e kam kundërshtuar këtë proces me shkrim e jo verbalisht, duke e paralajmëruar në vazhdimësi ministren Rozeta Hajdari se veprimet dhe heshtja juaj karshi këtij procesi bien ndesh me Ligjin bazë për Rezervat Shtetërore të Mallrave. Pra edhe me gjithë kundërshtimet e drejta (ligjore) e parimore, paralajmërimet e njëpasnjëshme, kurrë në asnjë moment s’kam pranuar ndonjë shkresë zyrtare me të cilën së paku do të tentohej të demantohej shqetësimi i shprehur qysh në fillim të këtij procesi”, ka theksuar ai.
Ai ka thënë se “mllefi” i ministres karshi tij ka shpërthyer më 11 dhjetor të vitit të kaluar, në një vizitë të ministres Hajdari dhe kabinetit të saj bashkë me sekretarin e Ministrisë së tij.
“U trondita me sjelljen dhe tendencën e ministres Hajdari për të ndaluar e cenuar fjalën dhe mendimin e lirë e sidomos për çështjen e procedurës së furnizimit të Rezervës Shtetërore. Diskutimi im e shqetësoj dhe e nervozoj tej mase, saqë e humbi tërësisht kontrollin dhe e kërkoj hakmarrjen para të gjithëve”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se ministrja e ka kërcënuar atë.
“Ministrja Rozeta Hajdari, çuditërisht më kërcënoi hapur para të gjithëve me fjalën (mbylle gojën), saqë iu drejtua me urdhër Daut Latifaj, zv.sekretarit të përgjithshëm dhe kërkoj inicimin e procedurës disiplinore. Ky zbatuesi i urdhrave përpos deficitit të lartë në aspektin profesional është caktuar zv.sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L-113, për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, konkretisht nenin 18, paragrafi 5. I njëjti person me paramendim vepron në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-197 për zyrtarët publikë, konkretisht me nenin 59, paragrafi 2, 3 dhe nënparagrafin 3.1. Për veprimet e tij të kundërligjshme e tendencioze, natyrisht se do të përballet me proceset e mëtejme ligjore”, ka shkruar ai.
KOHA ka kërkuar një qëndrim nga MINT-i lidhur me largimin dhe akuzat e Kutllovcit, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së martës.
Akuzave të Kutllovcit, për veprime të kundërligjshme dhe tendencioze nuk i është përgjigjur as sekretari Daut Latifaj.
E në arsyetimin e vendimit për largim nga shërbimi civil thuhet se gjatë takimit ku kanë qenë zyrtarët e menaxhmentit të lartë të MINT-it, Kutllovci gjatë takimit “ka bërë sjellje jo të mirë, gjuhë nënçmuese dhe aspak profesionale”, që, siç thuhet, nuk lejohet gjatë orarit të punës.
“Ermal Kutllovci ka përsëritur shkeljen edhe më të rëndë disiplinore, me ç’rast më datën 15.12.2023 me shkresën me shkrim u është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrit, ministres së MINT-it, zv.ministrave, shefit të stafit të kabinetit të kryeministrit dhe ministrave, këshilltarëve të lartë, sekretarëve të përgjithshëm. Me këto veprime ka tejkaluar hierarkinë, kompetencën dhe me përmbajtje të shkresës ka nxjerrë informacione që nuk i lejohet sipas legjislacionit në fuqi, si dhe me përmbajtje ofenduese për menaxhmentin e MINT-it”, thuhet në vendim.
Në gusht të vitit të kaluar janë arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore. Nga të arrestuarit, dy janë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e një është biznesmen, i përfolur në publik për afërsi me partinë në pushtet - Vetëvendosje.
Më pas Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Garan janë liruar nga masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
Sipas Prokurorisë, me këtë rast buxheti është dëmtuar për mbi 600 mijë euro.