LAJMET E MBRËMJES

Lansohet fushata “Mos hesht” - konfirmohen 15 viktima të trafikimit vetëm më 2022

Mbi 47 raste të trafikimit me qenie njerëzore ka arritur t’i identifikojë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, që nga viti i shkuar e gjer më tani. Vetëm sivjet, nga 15 viktimat e identifikuara të trafikimit, 14 ishin vajza, 11 prej të cilave ishin të mitura.

Këto të dhëna kryeministri Albin Kurti i kualifikoi si shqetësuese.

Ai, në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, theksoi se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendas e të huaj dhe se ato viktima kryesisht joshen me premtime për martesë e punësim.

“Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse, për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë”, tha Kurti.

Në hapjen e fushatës “Mos hesht”, pjesëmarrësit kërkuan qasje më serioze nga institucionet për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

“Rreth 27 milionë njerëz trafikohen anë mbanë botës. Prej tyre shumë gra trafikohen që për synim kanë dhunimin. Në Kosovë, 86 për qind e rasteve të trafikimit janë gra, dhe 60 për qind prej tyre shfrytëzohen seksualisht”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Globalisht, kryesit e këtyre gjëra kanë përfitime miliarda euro, të cilët përfitojnë duke shitur njerëz. Në Kosovë gjithashtu kjo dukuri është e pranishme. Andaj veprimet tona duhet dhe do të vazhdojnë edhe më tepër në luftim të këtyre veprave”, tha Blerim Gashani, koordinator nacional kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Besim Kelmendi, ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, ka bërë të ditur se krahas trafikimit, prokuroritë kanë trajtuar mbi 3 mijë raste të dhunës në familje dhe mbi 200 të tjera kundër integritet seksual.

“Trafikimi me qenie njerëzore jo rastësisht konsiderohet si skllavëri moderne, sepse më vete përfshin format më të vrazhda të shfrytëzimit të njeriut. Më lejoni të them se Zyra për mbrojtjen e viktimave vetëm gjatë 2021 dhe 9 muajve të këtij viti ka trajtuar mbi 47 raste të viktimave të identifikuar dhe viktimave potenciale për t’u trafikuar. Kjo zyrë vetëm për rastet e dhunës në familje për këtë periudhë ka trajtuar 3 mijë e 780 raste të viktimave dhe për veprat penale kundër integritet seksual 276 raste të tjera. I përmenda këto dy kategoritë që mund të jenë viktima potenciale dhe duhet të kem kujdes të veçantë”, tha Besim Kelmendi.

Në lansimin e fushatës kundër trafikimit me qenie njerëzore u bë thirrje që institucionet të jenë të pakompromis në luftimin e dukurisë.