Qeveria së bashku me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, të martën, ka lansuar dritaren për investime të diasporës, përmes së cilës mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro. Përfaqësues të institucioneve thanë se me këtë program synohet tërheqja e investimeve nga diaspora
Përmes garantimit të kredive investuese deri në 3 milionë euro për mërgimtarët, Qeveria synon nxitjen e investimeve nga diaspora.
Gjatë lansimit të “Dritares për Investime të Diasporës”, të martën, kryeministri Albin Kurti ka thënë se programi lehtëson financimin e projekteve dhe ua mundëson bizneseve të mërgatës që të zgjerohen edhe në Kosovë.
“Përmes kësaj dritareje do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa e tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Tashmë kemi shumë raste ku bashkatdhetarët tanë po kthehen për të investuar kapitalin e tyre në Kosovë, për të punuar këtu, sepse Kosova ofron kushte të mira për të zhvilluar aktivitete biznesore. Dëshirojmë të hapim një kapitull të ri të marrëdhënies së bashkatdhetarëve me atdheun e tyre, nga ajo parulla, ‘kontribuoni duke sakrifikuar, investoni për të fituar”, ka thënë Kurti.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se programi do t’ia lehtësojë diasporës investimet në Kosovës pasi, sipas tij, ata janë përballur me probleme të mëdha deri tash.
“Në shtetet ku jetojnë aktualisht kanë pasur histori kreditore dhe bankat atje u kanë lëshuar kredi, por megjithatë nuk kanë lëshuar kredi për të investuar në Kosovë, pra në një juridiksion tjetër. Mirëpo, kur kanë ardhur këtu dhe kanë tentuar të qasen në financat e një banke lokale, problematika ka qenë që si biznes i diasporës nuk kanë pasur historik kreditor në Kosovë. Dhe kryesisht janë trajtu si biznese start up-e pa historik. Kjo ka kriju një hendek dhe shpërputhje që të vlerësohet saktë risku i këtyre bizneseve dhe pa lënë shumë kapital si hipotekë. Ideja ka qenë që të krijohet një instrument, një dritare e përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore i mbështetur me kapital shtesë edhe nga qeveria, të mundësojë garantimin e këtyre kredive dhe përmes kësaj të zvogëlohet risku për institucionet financiare, dhe rrjedhimisht të rritet edhe kreditimi”, ka deklaruar ai.
Në ceremoninë e lansimit të programit ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka folur për rëndësinë e investimeve të diasporës.
“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, sepse ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora prezantojnë. E shohim se kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen në vend, por edhe investojnë, ata sjellin më të mirën e botës këtu, në vendin e tyre, sepse ata i zbatojnë dhe ndajnë shkathtësitë më bashkëkohore që kanë mësuar jashtë”, është shprehur Hovenier.
“Dritarja për Investime të Diasporës” është skemë e re, me të cilën Fondi Kosovar për Garanci Kreditore u ofron investitorëve nga diaspora qasje në kredi për projektet investuese në Kosovë.