Raport përmbledhës ka bërë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve në Kosovë e Serbi. Takimet e tij me liderët e të dyja vendeve, ku ishte i shoqëruar nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka përshkruar si të gjata e të vështira
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritur me shumë sesa që ka marrë nga vizitat që pati javën e kaluar në Prishtinë e Beograd, së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Përmes një postimi në Facebook, të hënën, ai ka thënë se përpjekjet për zgjidhje të qëndrueshme do të vazhdojnë.
“Emisari Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë rezultat nga misioni ynë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta. Kështu, pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoja me një numër njerëzish nga Evropa dhe SHBA-ja, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe shtetet anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar Lajçak.
Ai ia ka kushtuar nga një paragraf secilit takim. Takimet me liderë kosovarë i ka cilësuar si të gjata e takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si të vështirë.
Po ashtu foli për takimin me zyrtarët e Listës Serbe, të cilën e quajti “palë e prekur”.
“Pasi që asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa përfshirë popullatën e prekur, Escobar dhe unë u takuam me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, për të dëgjuar prej tyre dhe për të shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, ka shkruar Lajçak.
E përfaqësues të Listës Serbe, të hënën në Beograd u takuan me Vuçiqin lidhur me, siç thanë ata, “situatën jashtëzakonisht të vështirë jo vetëm në veri, por edhe në jug të lumit Ibër”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, mbrojti personat e arrestuar nga Policia e Kosovës për sulmet e shkaktuara ditë më parë ndaj KFOR-it. Siç tha ai, Vuçiqit i ka dorëzuar edhe videodëshmi se arrestimi i tyre është i padrejtë.
Pas takimit, për media foli edhe ish-kreu i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, që tha se janë në favor të shtensionimit të situatës.
“Ne informuan presidentin se po vazhdojmë protestat paqësore dhe demokratike. Sot është dita e 17-të e protestave. Qytetarët tanë po qëndrojnë 24 orë në ditë për të luftuar për të drejtat e tyre legjitime, ligjore dhe të drejtat themelore të njeriut”, ka theksuar Milloviq.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara kryesisht me serbë, u zgjodhën në zgjedhjet e muajit prill. Votimet u bojkotuan nga partitë serbe dhe popullata lokale serbe. Më pas shpërthyen protesta e tensione për t’ua pamundësuar kryetarëve shqiptarë ushtrimin e detyrave nga ndërtesat komunale.