LAJMET E MBRËMJES

Lajçak: Vonesat në zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit - të papranueshme

Një javë para takimit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se cilat janë prioritetet e unionit evropian. Derisa kanë theksuar rëndësinë e propozimit që kanë palët në tavolinë, Lajçaku ka përmendur zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara, me theks të veçantë atë të Asociacionit. Vonesat në këtë drejtim i ka konsideruar të papranueshme. Lidhur me takimin e së hënës, të painformuar thonë se janë opozitarët.

Propozimi evropian e zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë janë prioritetet që Bashkimi Evropian ka në dialogun Kosovë-Serbi.

Emisari Miroslav Lajçak, në një intervistë për të përditshmen “Politika”, ka thënë se derisa Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Serbia duhet të lehtësojë kthimin e serbëve në institucione.

Ai ka thënë se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të diskutojnë për çështjet e zbatimit të marrëveshjes së AKS-së

“Ne e kuptojmë se kjo çështje është e ndjeshme për Qeverinë e Kosovës, por obligimet duhet të përmbushen. Qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së, si dhe i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë është se çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme. Në të njëjtën kohë, fakti që të dyja palët përdorin Asociacionin/Bashkësinë si kusht për çështje të tjera, nuk është i dobishëm”, ka theksuar Lajçak.

Në prag të takimit të 27 shkurtit, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, procesin e dialogut e kanë kritikuar opozitarët.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nga agjenda është hequr njohja nga Serbia e është duke u diskutuar për një marrëveshje tranzitore.

DEK: Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së

“Ka kalu mbi një dekadë angazhimi në dialog dhe përfundimi do të duhej të jetë me njohje reciproke …por tash po flasim për një status quo të re. Na shqetëson fakti që nuk po e mbyllim çështjen me Serbinë, por po e lëmë të hapur”, ka deklaruar Tahiri.

Kurse Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, pohoi se ekziston rreziku që Serbia të vazhdojë ta mbajë në konflikt të ngrirë Kosovën

“Marrëveshja duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme. Njëherë e përgjithmonë me i dhanë fund kësaj teme dhe me këtë të vijë njohja e Kosovës dhe rrugëtimi i saj drejt NATO-s dhe integrimit evropian”, ka theksuar Tahiri.

E sipas Vetëvendosjes, e rëndësishme është që procesi i bisedimeve të ecë para.

“Përderisa ka dialog, ka proces, nuk mund të quhet dështim ose nuk duhet të paragjykohet si dështim, por natyrisht në këtë proces do të ketë dinamikë e cila individualisht palëve mund t`u duket ndryshe, por ajo çka është e rëndësishme, është të vazhdojë procesi, të vazhdojë dialogu dhe natyrisht synimi final i këtij procesi të jetë njohja e ndërsjellë dhe normalizimi i plotë i raporteve në mes të dy vendeve”, ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Këto deklarime shefat e grupeve parlamentare i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që të mbahen dy seanca këtë javë.

Takimi i 27 shkurtit është i pari i zhvilluar për këtë vit, derisa i dyti me radhë që nga ai i fundit të nëntorit.