Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e diskutimet që janë duke u zhvilluar për përdorimin e dinarit në Kosovë, kanë zënë vend në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje. Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për arsyet e mosimplementimit të marrëveshjes së arritur një vit më parë, si dhe për pritjet për takimin e javës së ardhshme në Bruksel
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se palët nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.
Duke folur të hënën, në forumin “BE-ja takon Ballkanin” në Sofje, Lajçak u shpreh se ka shpresuar se do të ketë zbatim më të madh të marrëveshjes së arritur një vit më parë në Bruksel.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është proces shumë i ndjeshëm. Nuk mendoj që palët janë gati për të. Nuk shoh se shoqëritë janë gati. Çfarë unë shoh është se çdoherë që ne arrijmë progres që të dy liderët, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti kritikohen ashpër nga opozita e që në realitet do të duhej të lavdëroheshin, sepse të bërit progres në normalizim është gjë e mirë për të gjithë qytetarët”, tha Lajçak.
Lajçak ka folur edhe për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që përcakton euron si valutën e vetme zyrtare.
Tha se pret që në takimin e radhës në Bruksel, që do të zhvillohet javën e ardhshme, të finalizohet marrëveshja mes palëve.
“Çfarë dua të them është se diskutimet janë konstruktive, palët janë duke ardhur, atmosfera është më konstruktive sesa zakonisht do të thosha dhe ka përpjekje për të gjetur zgjidhje … Herën e fundit ne si BE kemi prezantuar idetë tona dhe ato janë pranuar nga të dyja palët dhe kur të takohemi javën e ardhshme shpresoj që do të finalizojmë marrëveshjen bazuar në idetë e paraqitura nga BE”, tha Lajçak.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, herën e fundit janë takuar javën e shkuar. Pasi palët nuk u pajtuan me propozimet e njëra-tjetrës, propozim në tavolinë nxori BE-ja.
Sipas zv.kryeministrit Besnik Bislimi, propozimi i BE-së është në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje që u shkon për shtat qytetarëve serbë në Kosovë e në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së.