Me ndihmën e LDK-së dhe AAK-së, partitë në pushtet arritën t’i miratojnë në Kuvend pesë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat prej katër muajsh nuk janë siguruar votat e së paku dy të tretave të ligjvënësve. Por, një tjetër marrëveshje dështoi të marrë mbështetje, një u shty për miratim e për tri të tjerat sërish mungoi kuorumi. Në seancën ku një pjesë e opozitës u bashkua në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, u panë edhe përplasje. Zjarri në IML ndezi polemika e akuza mes dy kampeve politike në Kuvend
Marrëveshjet ndërkombëtare, votimi i të cilave mbeti peng prej katër muajsh, janë ratifikuar të enjten në Kuvend, me votën e deputetëve të dy prej tri partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së. Votat e Aleancës u bënë përcaktuese për kalimin e marrëveshjeve, për të cilat ajo bashkë me PDK-në patën shprehur qëndrim politik për të mos u dhënë mbështetje.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se pas reflektimit, pret që edhe pushteti të marrë mësim nga ky ngërç.
“Qëndrimi i deritashëm për të mos i votuar ka qenë për t’iu treguar se sa të rëndësishme janë opozita dhe konsensusi për çështje të brendshme. Ju thërras që në agjenda të tilla të mos mbani inate”, ka thënë ai.
Por PDK-ja ka mbetur në qëndrimin e njëjtë për marrëveshjet për grante dhe kredi, vlera e të cilave është më shumë se 440 milionë euro.
“Paratë e këtyre marrëveshjeve nuk arrijnë të disbursohen për shkak të sanksioneve nga BE-ja. Mendojmë që kështu me vetëdije po e rrisim dëmin”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tek ka arsyetuar përcaktimin e subjektit politik që i përket për të mos votuar pro marrëveshjeve ndërkombëtare.
Konsensus pati për kalimin e 5 marrëveshjeve, e një dështoi të ratifikohet për shkak se nuk u mbështet nga LDK-ja dhe AAK-ja. E traktati mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, me të cilin qendra korrektuese e Gjilanit do të përdorej për ekzekutimin e dënimeve daneze, u shty për një ditë tjetër. Kjo pasi kundër saj u deklaruan edhe deputetë të partisë kryesore në pushtet, por edhe ligjvënës nga LDK-ja.
“Intelektualisht është e papranueshme një marrëveshje e tillë. Kosova as nuk duhet e as nuk mund te jetë paradhomë për kriminelët e huaj”, u shpreh deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca.
E përfaqësues të LDK-së thanë se marrëveshjet si kjo në thelb janë tepër johumane dhe nuk mund të mbështeten.
Për tri marrëveshje të tjera sërish mungoi kuorumi vendimmarrës prej dy të tretave të ligjvënësve.
Në një përgjigje dhënë për KOHËN një ditë më parë, Zyra e BE-së në Kosovë shprehu shqetësimin për mungesën e përpjekjeve në ndërtimin e konsensusit ndërpartiak midis grupeve parlamentare për çështje të ndryshme.
“I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që të çlirohet nga cikli i bojkotimit dhe mospjesëmarrjes në votime. Kjo vetëm pengon dhe vonon reformat e shumta që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, zhvillimin socio-ekonomik dhe forcimin e institucioneve dhe demokracisë së Kosovës. Prandaj, kërkojmë nga të gjitha grupet parlamentare që të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ardhmen e Kosovës dhe të mirën e qytetarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
Partitë opozitare ka katër muaj që kanë marrë vendim të mos marrin pjesë në votimin e projektligjeve në seanca e në trupat e tjera parlamentare. Bojkot është shpallur me qëllim që Kuvendit t’i pamundësohet funksionimi, në mënyrë që të shpërndahet dhe të rrëzohet Qeveria nëpërmjet shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
Në seancën e së enjtes nuk u tregua zbutje tensionesh mes kampeve politike, përkundër që u votuan pesë marrëveshje ndërkombëtare.
Flakët që përfshinë dy ditë më parë Institutin e Mjekësisë (IML) Ligjore, ndezën debatin në Kuvend mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ish-ministrit Ableard Tahiri që tash drejton grupin e deputetëve të PDK-së. Tahiri tha se nëse gjatë qeverisjes së tij do të digjej IML-ja, përveç nga pozita e ministrit ai do të tërhiqej krejtësisht edhe nga skena politike.
“Jo ministre, po as në skenë politike nuk duhesh me nejtë. Nuk duhet me të pa njeri në televizor. Është marre bre”, ka thënë Tahiri.
Por, Haxhiu u shpreh se si ministër Tahiri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për reformimin e këtyre institucioneve dhe se, sipas saj, nuk i takon të reagojë për këtë rast.
“Keq ma ke lënë IML-në, keq ma ke lënë Shërbimin Korrektues, që janë dy institucione të ndjeshme. Prandaj, nëse s’ke bërë asgjë si ministër i Drejtësisë, tashmë të paktën mundesh me hesht”, i tha ajo.
Debati përfshiu edhe të kaluarën e tyre.
“Duke qenë se ke përvojë të jashtëzakonshme prej Faton Dalladakut e sekserave të tjerë që ke punuar me ta, ndoshta mund ta tejkalosh e t’i bësh ballë këtij presioni publik. Unë s’kisha mujtë”, tha Tahiri.
Por Haxhiu u shpreh se në kundërpërgjigjen e saj ndaj Tahirit do ta kursejë për hir të qytetarëve.
“Unë nuk fyhem prej teje kurrë. Mos mendo që mund të më fyesh ndonjëherë. Sepse ti nuk ke integritet as moral, as profesional dhe as politik që të më fyesh mua, që unë të ndihem e fyer prej teje. Nuk po mundem të përmend edhe disa çështje të tjera, sepse jemi në Kuvend”, u shpreh ajo.
Akuza ndaj Qeverisë për zjarrin në IML patën edhe ligjvënës të tjerë opozitarë.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ngriti shqetësimin se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm për zhdukjen e provave të rasteve kriminale.
“Ka dëmtim të mbetjeve mortore të komandantit legjendar Adem Jashari, ka dëmtim të mostrave të komandantit tjetër Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale. Një qeveri, e cila erdhi me flakë në pushtet, po digjet nga flakët e pushtetit si rezultat i paaftësisë qeverisëse dhe qeverisjes kriminale”, shtoi ai.
Për djegien e një hapësire të Institutit, PDK-ja paralajmëroi se javën e ardhshme do të iniciojë themelimin e një komisioni hetimor që përveç zjarrit në IML do të hetojë edhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga aty. Për këtë shprehu pajtim ministrja Haxhiu.
Por rasti Dehari nxiti përplasje të sërishme mes Haxhiut e ish-bashkëpartiakut të saj, Haki Abazi. Abazi, që është larguar nga Vetëvendosja, tha se me porosi të ministrit të Brendshëm, Xhelal Svecla, u intervistua për rastin “Dehari” nën kërcënimin e revoles.
“Ministria e Punëve të Brendshme e ka dërguar një matrapaz në momentin e intervistimit tim, i cili e ka treguar revolen me kërcënim”, ka thënë Abazi.
Por prezenca e policëve me revole ministrja tha se është e përcaktuar me rregullore. Ajo theksoi se Abazi po tenton të viktimizohet për të mbetur gjallë në skenën politike.
“Ata policë me revole i kam parë edhe unë, sepse para tri ditëve jam intervistuar. Policët që më kanë intervistuar revolen e kanë pasur në brez dhe kjo është brenda rregulloreve. Këtë nuk e kam parë si kërcënim”, ka thënë Haxhiu.
Seanca e së enjtes është ndërprerë në gjysmë për shkak të mungesës së kuorumit, duke shtyrë kësisoj debatin për raportin për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian, si dhe disa pika të tjera. Nga rendi i ditës u larguan edhe pyetjet parlamentare për t’u caktuar në një seancë të veçantë, si pikë e vetme, meqë numri i tyre ka shkuar mbi 80, pas vendimit të anëtarëve të kabinetit qeveritar për të mos iu përgjigjur deputetëve që s’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.