Para seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi mori disa vendime, në mesin e të cilave edhe atë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Ligjvënës të pushtetit arsyetuan vendimin, tek iu referuan një raporti të Auditorit të Brendshëm, e ata të opozitës lansuan akuza për ndërhyrje
Kuvendi ka shkarkuar të enjten Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), rreth një vit e gjysmë pas emërimit.
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Armend Muja, ka arsyetuar propozimin e pushtetit për këtë vendim, duke përmendur një raport të Auditorit të Brendshëm.
“Më datën 25.08.2021, Auditori i Brendshëm i KPMM-së ka konstatuar se është shkelur Udhëzimi Administrativ 01/2011 për rregullat dhe procedurat e prollogaritjes së rentës minerale me rastin e kompanisë ‘Feronikeli’. Auditori ka rekomanduar që të themelohet një komision profesional që të bëjë ripërllogaritjen dhe ndikimin financiar të moszbatimit të saktë të Udhëzimit adiministrativ”, ka thënë Muja.
Por opozita përveç mospjesëmarrjes në votim e kundërshtuan këtë shkarkim edhe me akuzat për ndërhyrje nga pushteti.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka theksuar se ky bord është zgjedhur me ndërhyrje të jashtëligjshme nga pushteti e edhe po shkarkohen nga ky pushtet. Ai ka folur edhe për pasoja.
“Si rezultat i kësaj, tash e një vit ky rregullator është jashtë funksionit dhe pa vendimmarrje. Janë 255 lëndë që presin për të marrë përgjigje, sepse prapë politikisht ata po shkarkohen sepse si duket nuk janë treguar mjaft të dëgjueshëm. Ne nuk do të marrim pjesë në shkarkim”, ka thënë Shala.
E, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka theksuar se shkarkimi i këtij bordi është i jashtëligjshëm dhe se po bëhet vetëm pse nuk kanë dëgjuar pushtetin.
“Janë njerëz me kredibilitet. Kjo është Qeveria e juaj që vetë emëroni e vetë shkarkoni. U bëtë horë me borde. Ata që nuk po ju dëgjojnë po i shkarkoni. LDK-ja nuk do të marrë pjesë. Ju i keni në favor numrat dhe atë po e shfrytëzoni”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, ka thënë se është po ky bord që ka pasur lëvdata publike nga përfaqësues të pushtetit.
“Pyetja për kolegët në LVV është çka ka ndryshuar?”, ka thënë Tahiri. “Së paku nuk duhet t’u hyjnë në hak këtyre njerëzve, duke i akuzuar për shkelje dhe duke u munduar t’jua vendosin një etiketë. Së paku duhet të dalin e të tregojnë që nuk kanë qenë të përshtatshëm për qeverinë dhe një shumicë e ka të drejtën t’i shkarkojë, por jo edhe t’iu vendosë etiketë”.
Gjatë mbledhjes, deputetët e opozitës i kërkuan Qeverisë dhe Kuvendit t’i vizitojnë minatorët e “Trepçës” që ndodhen në grevë dhe t’i plotësojnë kërkesat e tyre. Ata për këtë çështje paralajmëruan edhe seancë të jashtëzakonshme.
“A është më prioritet shëndeti i minatorëve që janë në grevë dhe trajtimi i kërkesave të tyre apo shkarkimi i një bordi që vetë e keni zgjedhur para një viti e gjysmë, dhe janë intervistuar në Zyrën e kryeministrit”, ka thënë Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së. “Asnjë arsye legjitime dhe të faktuar nuk e keni, veçse dihet që kanë abuzuar me detyrën zyrtare dhe se është pjesë e pazareve të mazhorancës. Prioritet i shoqërisë sonë do të duhej të ishte kërkesa e minatorëve të cilët janë në grevë, pasi kanë disa kërkesa të vazhdueshme”.
Gjatë vazhdimit të seancës, Kuvendi me shumicë votash miratoi Projektligjin për pronën publike, atë për Prokurorinë Speciale dhe katër projektligje të tjera.