Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese vlerëson se niveli i kuotës gjinore prej 30 për qind i përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Barazi Gjinore. Kuota është kontestuar nga Avokati i Popullit, sipas të cilit ajo duhet të jetë 50 për qind
Ka rezultuar në përputhje me Kushtetutën kuota gjinore prej 30 për qind që duhet të reflektojë në listat e kandidatëve për deputetë, e cila ka mbetur në Ligjin e ndryshuar për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Avokati i Popullit pati kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dispozitën, pasi ka vlerësuar se kuota duhej të ishte 50 për qind.
Por në vendimin që Gjykata e ka publikuar të enjten, është vlerësuar se kuota është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Barazi Gjinore. Sipas gjykatës, ndryshimi i kuotës gjinore është kompetencë e pushtetit legjislativ.
“Sipas sqarimeve të dhëna, nuk është në kompetencën e Gjykatës të përcaktojë lartësinë dhe/ose përqindjen e kësaj kuote ligjore, por Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autorizimet e plota që të avancojë përqindjen e kuotës së lartcekur që ndërlidhet me përfaqësimin gjinor në listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, gjithnjë në kontekst të një mase të nevojshme derisa të jetë arritur qëllimi i barazisë gjinore në Republikën e Kosovës dhe gjithnjë në pajtim me standardet e përcaktuara përmes mekanizmave të Këshillit të Evropës e të shtjelluara në këtë aktgjykim”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme ka pasur konsensus politik ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Vendimi i Kushtetueses është mirëpritur nga shefi i grupit parlamentar të partisë kryesore në opozitë.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sapo konfirmoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën duke vendosur njëzëri se niveli i përcaktuar i kuotave gjinore në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garanton përfaqësim të drejtë duke respektuar parimet e barazisë gjinore. Si kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, jam shumë i kënaqur që punën tonë e vulosi edhe Gjykata Kushtetuese krahas vlerësimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë pasi ky ligj kishte adresuar dhjetëra rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si në raport me përmirësimin e integritetit zgjedhor ashtu edhe në garantimin e së drejtës kushtetuese zgjedhore të shtetasve tanë brenda dhe jashtë vendit për të manifestuar vullnetin e tyre të lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, ka shkruar Tahiri në Facebook, të enjten.
Në vendimin e Kushtetueses është theksuar se gjykata ka marrë për bazë praktikat e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që rezulton se në ligjet e tyre që rregullojnë përcaktimin e listave zgjedhore të subjekteve politike që garojnë në zgjedhje, në parim, lartësia e kuotës gjinore është përcaktuar prej 20 deri në 40 për qind.