Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar se ka folur një herë me Milan Rajdoiçiqin, për çështje të sigurisë, porse këtë tha se e ka bërë në gjuhën shqipe. Si rrjedhojë, ajo i demantoi përgjimet e publikuara në medie, të cilat i quajti fabrikime. Por, opozita e akuzoi LVV-në për tradhti dhe thanë se koordinimi i saj me Radoiçiqin e ka përcaktuar vendimmarrjen në Kuvendin e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se ka komunikuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, gjatë kohës që ishte në kërkim nga institucionet e Kosovës më 2022.
Në një konferencë sqaruese, Kusari tha se ka biseduar me Radoiçiqin, vetëm një herë dhe atë në gjuhën shqipe.
Ndërkaq përgjimet e publikuara në “Paparaci”, ku pretendohet së ajo është duke komunikuar me Radoiçiqin, Kusari i quajti montazhe e fabrikime, meqë tha se nuk ka kërkuar asnjëherë votë nga Lista Serbe për pagën minimale apo për votimin e një gjyqtari për Gjykatën Kushtetuese.
“Vetëm një bisedë ka ndodhur me Radoiçiqin në gjuhën shqipe, i qëndroj prapa, ajo që kam dëgjuar dje nuk është bisedë autoktone, është e montuar, zëri im mund të këputet dhe të ngjitet me pyetjet që ai i ka bërë pastaj dhe janë të incizuara pastaj”, tha Kusari-Lila.
Sipas Kusarit, biseda me Radoiçiqin ka ndodhur me insistim të shefit të deputetëve të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Ndonëse jashtë kompetencave, tha se ka biseduar me Radoiçiqin për të garantuar qetësi në veri.
“A biseda tjetër në gjuhën shqipe, ai ka qenë në arrati, është e vërtetë, ai ka qenë në Serbi kur ai ka insistuar ta lëshojë, ideja ka qenë e garancës se nuk do të ketë telashe në veri, për të cilat pastaj nuk ka pasur asnjë aksion, as follow-up. Pas një jave, e ka sjellë një letër kërcënuese, me të cilën ka përfunduar çdo komunikim me Listën Serbe”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, komunikimi me Simiqin e Listën Serbe tha se ishte bërë për projektligjet vitale që kërkojnë votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e komuniteteve.
Ndaj këtyre përgjimeve ku dëgjohet koordinim mes LVV-së e LS-së, reagoi ashpër opozita.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quajti kryeministrin Albin Kurti spiun të Serbisë.
Ndërkaq shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në koordinim me LVV-në Radojçiq e ka përcaktuar vendimmarrjen në Kuvend.
“Kurrë s’kanë ndodhur shqiptarët ta bashkojnë votën me Listën Serbe kundër UÇK-së... Kjo tregon se Kosovën e udhëheq njeriu i Serbisë, spiuni i Serbisë”, tha Haradinaj.
“Ne po ua bëjmë të qartë që me këtë parti politike nuk do të bashkëpunojmë në asnjë rrethanë, në asnjë moment, përderisa e kanë kryetare të Grupit Parlamentar një person, që tashmë është e qartë që koordinimin për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës e bën me Milan Radoiçiqin, me vrasësin e Afrim Bunjakut”, deklaroi Tahiri i PDK-së.
Milan Radoiçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe.
Ai është i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe është në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.