Optimizëm për formimin e Qeverisë së re ka dhënë kryeministri në detyrë Albin Kurti. Teksa ka biseduar për shumë tema me kreun e BIK-ut, Naim Tërnava, Kurti ka thënë se e ka për synim që ashtu si në herët e kaluara, votimi i Qeverisë së re të bëhet në të njëjtën ditë kur do të bëhet konfirmimi i mandateve të deputetëve e zgjedhja e kryesisë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të dielën se zgjedhja e Qeverisë pritet të shkojë në formën e njëjtë si herën e kaluar.
Pasi për formimin e Qeverisë e pyeti myftiu Naim Tërnava gjatë pritjes së kabinetit qeveritar për festën e Bajramit, Kurti u shpreh se zgjedhja e kryesisë së Kuvendit dhe Qeveria pritet të bëhen të njëjtën ditë.
“Tash pasi u certifikuan rezultatet, është një seancë ku jepen betimet. Synojnë një seancë ku zgjidhet edhe kryetari, kryesia e kuvendit edhe Qeveria qysh e kemi bërë herën e kaluar: për të njëjtën ditë”, ka thënë Kurti.
Gjatë qëndrimit të tij në Bashkësinë Islame, me Tërnavën folën edhe lidhur me vrasjet në Kosovë, kundër të cilave Myftiu dha mesazh.
E Kurti tha se në bazë të përvojës dhe informatave që i ka marrë, ka gjyqtarë që po e ndajnë drejtësinë në favor të atyre që duken më agresivë, e që reflektojnë më shumë pushtet me paraqitjen e tyre të jashtme para gjykatës.
“Ka jo pak gjyqtarë që kur ndajnë drejtësinë nuk bazohen te provat materiale dhe dëshmitë e tjera në proces por edhe në çehret e palëve, e nuk mund të ndash drejtësi nëse në momentet vendimtare ua shikon çehret palëve”, ka thënë Kurti.
Në bisedën e kryeministrit dhe myftiut u hapën tema të ndryshme, e ndër to ishte edhe krijimi i një kompleksi që i bashkon varrezat e dëshmorëve.
Kurti tha po ashtu se varrezat e dëshmorëve do të ishte më mirë që të ishin në një vend të vetëm, por se kjo i duket e vështirë, pasi kjo gjë siç tha, do të duhej të bëhej menjëherë pas luftës.