Kryeministri Albin Kurti ia ka dhënë epitetin “Putin i vogël” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por gjuhë më e rëndë kundër Kurtit është përdorur në Beograd. “Hitler i vogël i Ballkanit” është epiteti që ia ka dhënë kryeministrit të Kosovës drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“I vetmi që paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është ‘Hitleri i vogël i Ballkanit’, Albin Kurti, i cili ëndërron të pastrojë zonën e Kosovës dhe Metohisë deri te serbët e fundit”, shkroi Petkoviq.
Të dielën, kur u shënuan dy muaj të invazionit rus në Ukrainë, Kurti në një postim në Facebook kritikoi qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj lufte. Ai shkroi se Vuçiqi është një mik që i rri besnik presidentit rus, Vladimir Putin, qoftë edhe me anë të refuzimit të sanksioneve ndaj Rusisë.
“Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnjë-Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’kanë qenë më të kërcënuara. Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë”, shkroi Kurti.
Petkoviqi i ka reaguar Kurtit në përmbajtjen e postimit, duke thënë se Vuçiqi është garantues i stabilitetit dhe paqes në rajon. Por Kurti ka theksuar se Beogradi zyrtar është ai që është duke nxitur tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e veçmas në Kosovë.