LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Vendi im quhet Republika e Kosovës e jo “Kosova e Metohija”

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor në Londër, teksa fliste për zhvillimin ekonomik në vendin e saj, iu referua Kosovës si “Kosova e Metohija” dhe si pjesë të Serbisë. Kurti ka thënë se vendi i tij quhet Republika e Kosovës

Referimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, Kosovës si “Kosova e Metohija” në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor në Londër, ka nxitur reagimin e kryeministrit Albin Kurti.

Në panelin e diskutimeve Kurti ka thënë se nëse do të ndiqej kjo logjikë, atëherë Serbisë do t’i duhej t’i referohej më ndryshe.

“Vendi im quhet Republika e Kosovës e jo si i është referuar këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja në këtë rrugë do të merrja shumë kohë, pasi pos Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica Rashka dhe Lugina e Preshevës. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka rikujtuar se Kosova si shtet i pavarur është i njohur nga 117 shtete nga e gjithë bota, përfshirë prej 22 nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, 27 nga 31 të NATO-s dhe tre nga katër fqinjët e saj.

Reagimi i kryeministrit Kurti u nxit nga deklarata e Bërnabiqit, e cila teksa po fliste për zhvillimet ekonomike në Serbi iu referua Kosovës si pjesë e saj.

Dek 2: Ana Bërnabiq – Kryeministre e Serbisë

“Kur unë them Serbia qendrore, është e dyta herë që po e përdor këtë term, mendoj Serbia që nuk përfshin në statistika krahinën tonë autonome të Kosovës dhe Metohisë që natyrisht ne e konsiderojmë pjesë të Serbisë. Kjo është politikë, tash ne po flasim për ekonomi dhe është me rëndësi për mua që të flas vetëm për ekonominë”, ka deklaruar Bërnabiq.

Gjatë Samitit, Kurti ka folur edhe për përkrahjen që Kosova i ka ofruar Ukrainës dhe se, siç tha, pret që “sa më parë ajo ta fitojë luftën me Rusinë”.

“I kemi vënë sanksione, duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Ukraina të dalë fituese dhe na duhet bota e Evropa demokratike, që të shohim të mposhtur Kremlinin dhe Putinin despotik”, është shprehur Kurti.

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka mbledhur udhëheqës të gjashtë shteteve: Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.