Lajm negativ e ka kualifikuar kryeministri Albin Kurti vendimin e Gjykatës Speciale për pezullimin e përkohshëm të vizitave për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në Hagë, shkaku i dyshimeve për pengim në administrimin e drejtësisë. E veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar protestë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria po e shqyrton mundësinë për t’i ndihmuar familjarët e ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilëve Gjykata Speciale ua pezulloi përkohësisht vizitat.
Kjo gjykatë vendosi të premten që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi t’u pezullohen vizitat dhe komunikimi me familjarët shkaku i dyshimeve se nëpërmjet tyre kanë tentuar të ndikonin te dëshmitarët.
E këtë vendim Kurti e quajti si një zhvillim negativ.
“Sigurisht që bëhet fjalë për zhvillim negativ, meqenëse e pësojnë familjet dhe më të dashurit e atyre që po mbahen mbi tri vjet në burgun e Hagës. Unë këtë dje e kam marrë vesh nga deputetja Shqipe Selimi, që është bashkëshortja e Rexhep Selimit”, ka thënë Kurti të premten.
Megjithëkëtë, kryeministri ka thënë se është i vetëdijshëm që Qeveria i ka të kufizuara mundësitë për të ndikuar në vendimin e gjykatës.
“Njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për këtë zhvillim negativ. Por, ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi. Mirëpo, natyrisht, jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”, ka shtuar ai.
E në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë paralajmëruar protestë për javën e ardhshme, kur Kosovën pritet që ta vizitojë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, nëpërmjet një postimi në Facebook ka njoftuar se protesta kundër Trendafilovas do të organizohet shkaku i mosreagimit të saj rreth ndalesave të mëhershme për vizita në Hagë.
“Para më shumë se dy muajsh, ose më saktë më datat 16 e 17 shtator 2023, mua dhe dy shokëve të kryesisë së OVL UÇK-së dhe një shoku të Këshillit Drejtues na është refuzuar vizita në Hagë me arsyetimin se terminët janë të zënë në këto data e që e vërteta është se nuk ishte ashtu. Këto shkelje më pastaj i kam treguar edhe në një emision në televizion, do të thotë që kufizimet ose ndalesat që bëhen nuk janë të kohëve të fundit, por janë më të hershme, dhe kryetarja e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova nuk është marrë fare me këto shkelje flagrante”, ka thënë Klinaku.
Vendimin Specialja e mori pas kërkesës së Prokurorisë bazuar në pretendimin se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale.
Në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor të 2020-s, ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi u deklaruan të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që u vihen në barrë. Të pafajshëm u deklaruan një ditë më vonë, edhe Veseli e Selimi.