Në Konferencën Ndërkombëtare për Cilësinë në Arsim të Lartë me titull “Ndikimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë në krijimin e një kulture cilësore në arsimin e lartë”, të organizuar nga Agjencia për Akreditim, kryeministri Kurti ka thënë se me qeverisjen e tij i është hapur rruga këtij institucioni që të kthehet në gjirin e organizatave ndërkombëtare, ENQA dhe EQAR. Nga këto organizata AKA ishte përjashtuar më 2019 për shkak të ndërhyrjeve politike në të
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nuk i mungon pavarësia institucionale, e cila ishte bërë shkak për përjashtim nga organizatat ndërkombëtare të arsimit, ENQA dhe EQAR.
Në Konferencën Ndërkombëtare për Cilësinë në Arsim të Lartë me titull “Ndikimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë në krijimin e një kulture cilësore në arsimin e lartë”, të organizuar të martën nga Agjencia për Akreditim, Kurti ka thënë se me qeverisjen e tij i është hapur rruga këtij institucioni që të kthehet në gjirin e të dyja organizatave.
“Jemi edhe sot këtu për të përforcuar urat e vjetra dhe për të ndërtuar ura të reja mes Agjencisë së Kosovës për Akreditim në njërën anë dhe Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), në anën tjetër, ashtu si edhe institucioneve të arsimit të lartë e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti.
Në fjalën e tij kryeministri Kurti u shpreh se cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart mes prioriteteve të Qeverisë, për çka edhe është duke u punuar për modernizimin e arsimit të lartë dhe për vendosjen e kritereve adekuate për ngritjen e mirëmbajtjen e cilësisë së arsimit të lartë.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, shprehu përkushtimin që në legjislacionin e ri të mos cenohet pavarësia institucionale e Agjencisë së Akreditimit.
“Andaj edhe së bashku kemi ndërmarrë një mal politikash që ndikojnë drejt avancimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe sigurimit të pavarësisë së Agjencisë Kosovare të Akreditimit”, ka thënë Nagavci.
Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, ka theksuar se institucioni që udhëheq është garantues i harmonizimit të sistemit arsimor me standardet dhe udhëzuesit evropianë të sigurimit të cilësisë.
“Vlerat tona kryesore janë pavarësia, transparenca, aftësia dhe profesionalizmi. Kemi standarde dhe procedura të ndryshme… ne si agjenci lejojmë që të gjithë ekspertët për institucionet e arsimit të lartë në nivel institucional dhe të programeve të jenë ndërkombëtarë”, ka thënë Gashi.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe presidenti i EQAR, Stéphane Lauwick, zëvendëspresidentja e ENQA-s, Cristina Ghitulica, ambasadorë, deputetë të Komisionit Parlamentar për Arsim dhe staf nga universitetet.
Në tetor Agjencia e Akreditimit pritet t’i nënshtrohet një vlerësimi nga ENQA për kthim të mundshëm në këtë organizatë.
Në vitin 2014, Agjencia e Akreditimit u pranua në ENQA, kurse në vitin 2015 në EQAR. Mirëpo të dyja e përjashtuan AKA-n pas katër vjetësh, për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë agjenci, gjatë kohës sa kryeministër ishte Ramush Haradinaj e ministër i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Haradinaj pati ndërhyrë në këtë agjenci në shtator të vitit 2017. Me kërkesë të tij ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, shkarkoi komplet Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë.
Ish-kryeministri Haradinaj pati ndërhyrë edhe derisa ishte kryeministër në detyrë në vitin 2020. Ai i shkroi letër kryetarit të atëhershëm të AKA-s, Gazmend Luboteni, dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, Avni Gashi, ku kërkoi të kenë kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet.