Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Serbisë i është kërkuar që t’i hapë arkivat shtetërore për krimet e kryera në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti e akuzoi qeverisjen aktuale në Beograd se, për çështjen e arkivave, po zbaton politikën e dikurshme të Milosheviqit – “s’ka kufomë, s’ka krim”. E paralajmëroi nisjen e gërmimeve në Kozhle të Serbisë
28 marsi i vitit 1999 do të jetë hera e fundit që Ali Havolli do ta shihte vëllanë e tij, Skënderin, 29-vjeçar, që atë ditë u mor nga tre serbë të maskuar në Fushë-Kosovë.
Edhe 25 vjet pas kësaj, ai ende është në kërkim të tij. Aliu thotë se përkundër që e informoi Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe i dha mostrat e të vëllait, ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.
“Nuk e di a ka qenë dita e Bajramit apo nata e Bajramit. Qitu shpija ska pas knej, krejt thatë u kanë. U desht që banorët e Fushë-Kosovës me u tërhek krejt, në ditën e tretë që i ka ra NATO-ja. Vëllau tha po dal po kqyri qysh është situata, a me ik a me prit ende, edhe ka dalë te hekurudha, kur ka dalë atje është marrë nga 3 policë serbë të maskuar. Ni kojshi e ka pa që tre persona të maskum e kanë marrë, por ai është frikësu dhe është largu vetë”, ka rrëfyer Ali Havolli.
Tek është bërë më se një vit që nga miratimi i Deklaratës për personat e pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, thotë të mos jetë ndërmarrë asnjë veprim për të pagjeturit.
“Zoti Lajçak, në takimin e fundit që kam pasë me të, përveç asaj i kam kërku që të themelohet një komision i përbashkët që është në kuadër të Deklaratës edhe e monitoron zbatimin, por as këtë s’e ka ba. Bashkimi Evropian....”, ka thënë Hoti.
E kryeministri Albin Kurti, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, e akuzoi Serbinë për refuzimin që t’i hapë arkivat shtetërorë për krimet e kryera në Kosovë, tek e kërkoi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në këtë synim.
“Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarë politikë të Millosheviqit në Beograd”, është shprehur Kurti.
Kryeministri ka treguar se së shpejti do të bëhen gërmime në Kozhle, midis Novi-Pazarit e Tutinit në Serbi.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur është mbajtur edhe takimi për draft-metodologjinë e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës, për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.
Afro 1 mijë e 600 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Përgatiti: Ardona Popova