LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Serbia mbështetet edhe pse mbron terroristët ndërsa Kosova mbetet nën masa

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe Serbisë. Në rilansimin e Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socalistët dhe Demokratët, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”

Bashkimi Evropian duhet të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë e të ardhmes së saj ka thënë kryeministri Albin Kurti, tek adresoi kritika për qasjen që deri tash është aplikuar ndaj Kosovës.

Kryeministri në detyrë këto kritika i ka përsëritur edhe në adresimin e tij në rilansimin e Programit “Willy Brandt” për zgjerim të Bashkimit Evropian, nga Socialistët dhe Demokratët. Kurti ka thënë të hënën se gjatë mandatit të tij politikat e Kosovës “më shumë janë pëlqyer sesa mbështetur”, ndërsa të Serbisë “më pak janë pëlqyer, e më shumë janë përkrahur”.

“Përpjekjet tona për ta avancuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat fundamentale të BE-së pranoheshin me fjalë. Por shumë rrallë mbështeteshin në aksione. Në fjalë të tjera, politikat tona më shumë janë pëlqyer se mbështetur. E politikat e fqinjit tanë janë pëlqyer më pak, por janë përkrahur më shumë. Fqinji ynë verior që është agresor dhe që provokon tensione e synon destabilizim sot strehon e mbron terroristët, por është Kosova që mbetet nën masat restriktive të Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-në është si në mbrojtje, ashtu edhe zhvillim e diplomaci.

Ai ka theksuar se këtë vit Kosova do të jetë një nga shtetet organizatore të Defender Europe 2025 si dhe nga SHBA-ja do të blejë raketa Javelin dhe helikopterë Blackhawk.

E në një diskutim të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Bruksel, me temë "Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike", Kurti potencoi se Kosova nuk ka plan B për anëtarësim në BE.

“Kosova ka treguar se është një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe beson fuqishëm në të ardhmen e saj evropiane. Si shembull i demokracisë në rajon, ne kemi treguar përkushtimin tonë kur jepen shanse të barabarta. Është koha që BE-ja të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të së ardhmes së saj. Kjo do të forcojë edhe më tej përkushtimin tonë ndaj agjendës evropiane, duke e bërë më të prekshme rrugën drejt BE-së. Ka ardhur koha që Kosova dhe BE-ja të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta për tejkalimin e pengesave që pengojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”.

Ai kërkoi të iniciohet pyetësori për Kosovën, duke vlerësuar kapacitetet institucionale dhe ligjore për anëtarësim në BE, si dhe të bëhet përgatitja e një opinioni të bazuar në merita për statusin e kandidatit në BE.