“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, pak pas sulmit që ka lënë të dëmtuara dy vetura
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar të dielën pas shpërthimit që ka ndodhur në afërsi të Liqenit të Ujmanit në veri, duke thënë se institucionet e sigurisë do t'i sjellin para drejtësisë të gjithë të përfshirët në këtë sulm kriminal.
Sulmi ka ndodhur në mesditën e së dielës, kur një mjet shpërthyes është hedhur në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për KOHËN se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy vetura, porse nuk ka pasur të lënduar.
“Shpërthimi ka ndodhur pas tunelit numër 5. Dy vetura janë dëmtuar dhe nuk ka të lënduar”, ka deklaruar Elshani, teksa nuk ka specifikuar saktë se për çfarë shpërthimi bëhet fjalë.
E kryeministri Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook pas shpërthimit, ka thënë se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të nuk u leverdis normaliteti i krijuar në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, rruga e vetme është sundimi i ligjit dhe rendi publik.
“Rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha të tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka theksuar Kurti.
Kohëve të fundit qytetarë të zonës janë parë duke u freskuar në ujërat e Liqenit të Ujmanit, gjatë kohës sa kanë mbizotëruar temperatura të larta afro 40 gradësh celsius.
Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi, pos të tjerash, aktualisht furnizon me ujë një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe në veri të lumit Ibër – Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “B”, “Trepça” dhe “Ferronikeli” varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqen artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.