LAJMET E MBRËMJES

Kurti për reformën e asistencës sociale: Do të krijojë barazi dhe të nxisë punësimin

Albin Kurti

Është lansuar një reformë e re e asistencës sociale, nëpërmjet së cilës synohet punësimi i personave me pak të ardhura mujore. Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se politika e re siguron barazi për të gjithë qytetarët e edhe nxit punësimin

Qeveria ka lansuar të shtunën pilotimin e skemës së reformuar të asistencës sociale, e cila është dizajnuar nga Ministria e Financave dhe nga Banka Botërore.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në lansim, ka theksuar se politika e re siguron barazi për të gjithë qytetarët e edhe nxit punësimin.

“Qysh nga ky moment, secila familje në Republikën tonë, e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar për muaj, mund të qaset në E-Kosova dhe të aplikojë për t’u bërë pjesë e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale”, ka thënë Kurti.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se skema i trajton si persona që janë në kërkim për një vend pune të gjithë qytetarët të cilët mund të jenë prindër të vetëm dhe kanë fëmijë nën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, si dhe gratë gjatë shtatzënisë.

Ai ka treguar edhe se si mund të aplikohet në këtë skemë.

“Mund të qaseni përmes E-Kosovës dhe të plotësoni të dhënat për familjen dhe të dhënat merren dhe përpunohen nga komisioni. Pas aplikimit për asistencë sociale, aplikimi kalon në disa faza dhe fillimisht është testi i varfërisë. Pas testit të të ardhurave vjen edhe testi i pasurisë, pas kësaj është edhe testi i mjeteve financiare të përafërta, pastaj vjen edhe tek vizitat në terren që do të bëhen nga anëtarët e QPS-ve dhe pastaj bëhet verifikimi”, ka thënë Murati.

E, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Mrikë Aliu, ka theksuar se projekti me të cilin është mbështetur reforma synon që ta ndihmojë Qeverinë në rritjen e standardit të popullatës. 

“Këto reforma ndihmojnë grupet e cenueshme që të përballojnë jetesën dhe kjo reformë është një hap i rëndësishëm përpara dhe i domosdoshëm. Kjo reformë ulë dukshëm varfërinë në vend. Lejon dhe fuqizon ata që të jenë të qasshëm në vendin e punës”, ka thënë Aliu.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend. Të fundit, të cilat janë përpiluar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore (BB), janë të vitit 2017. Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Asistencë sociale - nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht prej numrit të anëtarëve - u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar. Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro në muaj. Paga mesatare në vend është 520 euro.