Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dëshiron që Marrëveshja e Brukselit e arritur vitin e kaluar me Serbinë, të zbatohet fillimisht, e më pas të trajtohet ajo e Washingtonit. I pyetur nëse është e pranueshme tani për të Marrëveshja e arritur më 2020 në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata e re amerikane e Donald Trumpit insiston në zbatimin e saj, Kurti ka thënë se pret të nënshkruhet ajo e Brukselit
Zbatim të Marrëveshjes së Brukselit e cila ishte dakorduar vitin e kaluar me Serbinë e më pas asaj të Washingtonit, ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. I pyetur për insistimin që mund t’i vijë nga administrata e re e presidentit Donald Trump, i cili në mandatin e parë pati ndërmjetësuar Marrëveshjen e ashtuquajtur për Normalizim Ekonomik, Kurti ka theksuar se pret që dokumenti i Brukselit të nënshkruhet.
“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, ka thënë Kurti të hënën pas pranimit të raportit njëvjeçar të punës nga drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Kurti ka shtuar se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe me presidentin e porsazgjedhur, Donald Trump.
“Ne punojmë me administratën e SHBA-ve, pavarësisht se cili kandidat fitoi, cila parti është. Këtë e kemi traditë që na kanë sjellë vetë SHBA-të”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur delegacionet amerikane që kanë ardhur në Kosovë gjatë periudhës së viteve 80-ta dhe ato 90-ta me përbërje nga demokrat dhe republikanë, Bod Dole e Joe Diougard.
“Ne bashkëpunojmë me SHBA në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin e seriozitetin tonë. Presidenti i ardhshëm në një letër urimi që pati dërguar një pararendësi, para nesh, pat vendosur në thelb njohje reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi më të interesuar këtë bashkëpunim dhe ta zgjerojmë”, ka thënë shefi i ekzekutivit.
Kosova dhe Serbia u dakorduan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve më 18 mars në Ohër vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por Bashkimi Evropian që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se ajo është obligative për palët.
Por asnjëra prej pikave të saj nuk ka nisur së zbatuari me gjithë takimet e shumta të zhvilluara në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka treguar se këtë javë do të diskutojë në Zvicër për takimin e fundit mes palëve, duke shtuar se fokusi është në dakordimin e arritur.
“Për t'u kthyer në fushën time kryesore të punës, do ta nis javën në Gjenevë të Zvicrës me diskutime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Kjo javë gjithashtu do të fokusohet plotësisht në ndjekjen e asaj që u ra dakord gjatë takimit tonë të fundit të kryenegociatorëve”, ka shkruar Lajçak në “Facebook”.
Por në zyrën e tij nuk kanë treguar të hënën se për cilin dakordim bëhet fjalë.
24 tetori është takimi i fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Derisa Lajçaku ishte shprehur se në këtë takim ka pasur përparim në disa pika, kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi e pati cilësuar të dështuar takimin.
Sipas tij, nuk ka pasur rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë dhe se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë.
Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve. E ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz.
“Fatkeqësisht për temën kryesore për të cilën jemi grumbulluar nuk ka rezultate. Në pikën rreth ecjes përpara me normalizimin e raporteve kështu që mbeti në fund që z. Lajçak pastaj të kthehet edhe njëherë te drafti i tij i 9të i datës 8 dhjetor dhe ta plotësoj me komentet e palëve dhe të provojë edhe njëherë. Serbia me gjasë ende më tej insiston në implementim të pjesshëm, sipas idesë ne bëjmë diçka ju bëni diçka por kjo është jashtëzakonisht shumë jo serioze mendoj edhe për Brukselin”, ka thënë ai pas takimit.
Megjithatë sipas Bislimit ka pasur lëvizje pozitive në temat tjera. Ai ka thënë se ka dakordim për një grup punues i cili do t’i harmonizojë 20 certifikata veterinere të cilat përdoren në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu që të kërkohet që trupat e inspektoratit fito - sanitar të vendosen në mënyrë të përhershme edhe në pikën kufitare në Dheun e Bardhë. Sipas Bislimit, ka premtime se deri në fund të nëntorit do të lëshohen linjat e interkoneksionit që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë të vitit 2022.
Në takimin e fundit është diskutuar edhe për lirinë e lëvizjes. Sipas Bislimit, Emisari Lajçak e ka nënvizuar rëndësinë e një qendre për inspektim teknik që ka bërë Qeveria e Kosovës në veri dhe njohjen e hapave të tjerë që janë bërë në veri.
Marrëveshja 11 pikëshe e arritur në Ohër më 18 mars 2023 mes tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Po ashtu Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Ndërkaq, Marrëveshja e Washingtonit për normalizim ekonomik u arrit në shtator të vitit 2020 mes SHBA-së dhe Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Donald Trump. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.