Normalizimi i raporteve me Serbinë mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, tha kryeministri Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik, që u organizua në Shkup. Qëndrimin e ka shprehur një ditë pasi në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, theksoi se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka qëllim njohjen.
Kryeministri Albin Kurti është kundërpërgjigjur një ditë pasi nëpërmjet zëdhënësit Peter Stano, Bashkimi Evropian shprehu qëndrimin se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka për qëllim njohjen.
Tek ka folur në një panel në kuadër të Forumit Ekonomik, që u organizua të mërkurën në Shkup, Kurti tha se nuk mund të ketë normalizim pa njohje të ndërsjellë.
“Normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz, që njohja e ndërsjellë është esenca, pjesa qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, për të cilën jemi duke u munduar me shumë zell ta ndërtojmë dhe të vazhdojmë tutje”, ka thënë Kurti.
Të hënën kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë shprehën pajtimin për planin evropian mbi dialogun, dokument që, sipas Kurtit, nënkupton njohjen de facto. Përfaqësuesit e të dyja shteteve nuk u dakorduan edhe për udhërrëfyesin për zbatimin e këtij plani, e marrëveshja për të cilin synohet të mbërrihet më 18 mars, në një takim që pritet të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Kurti foli në Shkup edhe për simbolikën e përzgjedhjes së këtij vendi për nënshkrimin e mundshëm të marrëveshjes.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftojë në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri Kurti ka treguar se gjatë ditës ka pasur takim edhe me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe me atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët tha se ka diskutuar për bashkëpunim rajonal.