Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dhënë start veprimeve për ta formuar qeverinë e re. Por, ai është kritikuar për zhvillimin e diskutimeve në hapësirat e Kryeministrisë dhe jo të partisë që përfaqëson apo në ndonjë vend neutral. Veprimi është arsyetuar nga përfaqësues të Vetëvendosjes, ndërsa Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka konfirmimin e së paku dy votave të partnerëve nga komunitetet joshumicë
Në hapësirat e Zyrës së Kryeministrit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kryeministër në detyrë, i ka nisur diskutimet për ta bërë qeverinë e mandatit të ardhshëm. Të mërkurën, ai takoi kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi e kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.
Që të dy, kanë qenë partnerë të Kurtit në ekzekutiv. Rexhepi si zëvendëskryeministre e Rashiqi si ministër për Komunitete dhe Kthim.
Pas takimit me kryetaren e partisë nga komuniteti boshnjak, Zyra e Kryeministri, njoftoi për konfirmimin e përkrahjes së saj për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ajo e konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje! si fituese e zgjedhjeve të fundit dhe mbështetjes së kryeministrit Kurti në formimin e qeverisë së re. Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Rexhepi për bashkëpunimin e frytshëm, rezultatet e arritura gjatë këtij mandati dhe punët e mbara që na presin në katërvjeçarin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Mbështetjen ndaj Kurtit e qeverisë së formuar nga Lëvizja Vetëvendosje, sipas njoftimit të kryeministrisë, e ka konfirmuar edhe ministri në detyrë, Rashiq.
“Përgjatë diskutimit, ministri Rashiq e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm. Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin Rashiq për punën e madhe dhe kontributin e dalluar që ka dhënë për komunitetin serb në Kosovë për vetëm gjysmë mandati si ministër për Komunitete dhe Kthim. Ai shprehu gjithashtu vullnetin për vijimin e bashkëpunimit efikas dhe të frytshëm edhe në katërvjeçarin e ardhshëm për të arritur së bashku suksese të tjera dhe punë të mbara në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në njoftim.
Por, takimet konsultative në hapësirat e ekzekutivit, janë kritikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Hulumtuesi Eugen Cakolli ka thënë se veprimet e tilla nuk duhet të normalizohen.
“Kjo nuk është çështje teknike, por një praktikë që zbeh kufirin mes shtetit dhe partisë, dhe që tregon shumë për mënyrën si konceptohet pushteti. Një subjekt politik që synon të qeverisë vendin duhet të tregojë standarde më të larta – jo të shfrytëzojë hapësirat e shtetit për interesa të veta. Prandaj, takimet konsultative për formimin e qeverisë duhet të mbahen në seli partie ose në ambiente neutrale, e kurrsesi në zyra publike që u përkasin të gjithë qytetarëve”, ka thënë Cakolli.
Ndërkaq, në Vetëvendosje arsyetuan veprimin e Kurtit.
“Kryeministri Kurti po i mban takimet në zyrën e tij në Kryeministri, në ndërtesën e Qeverisë, sepse aty punon. Edhe mysafirët po ashtu po e preferojnë qeverinë”, tha në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Presidentja Vjosa Osmani, një ditë më parë, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e mbledhjes konstituive të Kuvendit. E të mërkurën, Osmani u shpreh e bindur se deputetët e rinj do të angazhohen që kjo seancë të jetë e suksesshme.
“Është me rëndësi për qytetarët e Kosovës, por ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike, nuk është që globi na pret neve. Është me rëndësi që sa në parë që është e mundur, por gjithsesi brenda afateve kushtetuese, të kemi së pari konstituimin e Kuvendit që është hap i parë dhe pastaj Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ajo.
Lëvizja Vetëvendosje nga zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Ky numër i deputetëve është i pamjaftueshëm për ta votuar qeverinë, pasi nevojiten së paku 61 vota, të cilat Kurti synon t’i sigurojë nëpërmjet takimeve me përfaqësues partish e deputetë.