LAJMET E MBRËMJES

Kurti në konak të Haradinajve, lartësoi sakrificën e kësaj familjeje për liri

Në 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kryeministri Albin Kurti është pritur nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Gllogjan të Deçanit. Ndërsa Kurti vlerësoi lart veprën dhe sakrificën e familjes Haradinaj, lideri i AAK-së dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ka thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër pos luftës

Kulla e familjes Haradinaj në Gllogjan të Deçanit, të premten ka qenë adresë e shumë qytetarëve, luftëtarëve të UÇK-së dhe personaliteteve politike e ushtarake. Në 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, për homazhe në Kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan ishte edhe kryeministri Albin Kurti, anëtarë të kabinetit qeveritar e pjesëtarë të FSK-së. Nikoqir i mysafirëve ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili përveç se priti Kurtin e kabinetin e tij, ata i shërbeu edhe me raki.

Në akademinë përkujtimore, kryeministri Kurti është shprehur me fjalë të mëdha për sakrificën e familjes Haradinaj. Ai ka thënë se kjo familja Haradinaj dhe ajo Jashari kishin armik Serbinë e qëllim lirinë.

“Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin e vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste e mori atë ditë nga Kulla e bacës Hilmi”, ka deklaruar Kurti.

Ai më tej ka theksuar se si kryeministër është duke punuar në konsolidimin e ushtrisë së Kosovës në aspektin profesional e investimin në ushtri e kanë fokus.

E ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se 24 marsin e njohin si ditë të fitores. Porosia e përçuar nga mesazhi për të luftuar deri në flijim sipas tij e ka përcjellë edhe Gllogjanin. Haradinaj ka thënë se në Gllogjan nuk kishin zgjidhje tjetër pos luftës. “Më kujtohet më 24 mars 99. Kemi mbajt një takim përkujtues të kësaj dite. Kishim rreshtuar njësitet dhe në një fjalim iu premtova bashkëluftëtarëve që kanë mbet vetëm pak ditë ose javë deri në liri. E vërteta ishte se atë ditë në mbrëmje erdhën sulmet e NATO-s si me ardhë prej Zoti”, deklaroi Haradinaj, derisa shtoi se vendi i Kosovës është në NATO e krah saj.

Me rastin e 25-vjetorit, Epopenë e Dukagjinit e ka përkujtuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se 24 marsi ka qenë një ndër ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.

“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet”, ka thënë Osmani. “Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veriatlantike. Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se në Gllogjan të Deçanit, UÇK-ja ka zhvilluar betejë të ashpër frontale me forcat agresore të Serbisë.

“Sakrifica e tyre sublime, përveçse udhërrëfyese e përhershme, mbetet edhe amanet për ne dhe brezat e ardhshëm që ta duam me zemër, ta ndërtojmë, zhvillojmë dhe mbrojmë Republikën e Kosovës. Ata sot na mungojnë, por heroizmi i tyre duhet të nderohet e respektohet përjetësisht”, ka shkruar Konjufca.

Më 24 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan Gllogjanin, e cak kryesor kishin shtëpinë e familjes Haradinaj. Në përplasjen e armatosur ranë dëshmorë Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.