LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Ligji për zgjedhje do t’i japë fund padrejtësisë ndaj diasporës

Në konferencën “Diaspora Flet”, kryeministri Albin Kurti ka thënë se diaspora luan rol të jashtëzakonshëm në zhvillim dhe mbetet burimi kryesor. Kurti ka theksuar se diaspora është pasuri e çmuar e popullit. Ka përmendur se me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme do t’i jepet fund padrejtësisë ndaj tyre

Me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme do t’i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës, ka thënë kryeministri Kurti, të premten, në konferencën “Diaspora Flet”. Ai e ka cilësuar mërgatën shqiptare si pasuri të çmuar për vendin, duke thënë se ekzekutivi është i përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin atë me vendin.

“Diaspora është moti pasuri e çmuar e kombit tonë. Ne njohim mirë rolin dhe angazhimin e diasporës në Kosovë, por edhe vlerësojmë potencialin e saj si një nga burimet për zhvillim. Andaj, jemi të përkushtuar në punën tonë ditore për të zbatuar politikat të cilat e ndërlidhin rolin e diasporës jo vetëm si një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë, por edhe si një forcë e jashtëzakonshme për ndryshimet të cilat kanë filluar të marrin formë në Kosovë... Aktualisht jemi drejt finalizimit të kornizës ligjore që reflekton vlerësimin tonë të thellë për kontributin e thellë të diasporës. Me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i japim fund një padrejtësie të gjatë ndaj mërgatës për sa i përket votimit dhe po e përmbushim përfundimisht edhe një zotim tonin. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehë vullnetin politik, teksa ambasadat e konsullatat e Kosovës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra votimi”, ka thënë Kurti.

Kryeministri me tej ka njoftuar se janë duke punuar në adresimin e sfidave për ta ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit. Ka thënë se për herë të parë është duke u dizajnuar një fond për diasporën.

“Për të adresuar kërkesat e shumta që ka mërgata jonë për herë të parë jemi duke dizajnuar një fond për diasporën me qëllim ofrimin e resurseve financiare për të bashkëkrijuar ide të reja dhe për të ofruar zgjidhje kreative për komunitete ku jeni dhe veproni. Ky fond paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet për të adresuar objektivat kryesore në qasjen tonë për angazhimin, bashkëpunimin dhe bashkëkrijimin me mërgatën tonë. Po e theksojmë gjuhën shqipe, sepse besojmë që këtu është çelësi i integrimit pa asimilim”.

Ndërsa, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, theksoi se në planin e zhvillimit kombëtar diaspora shihet si shtyllë për qeverisje të mirë.

“Për ne fokusi kryesor është dëgjimi i zërit të diasporës për këtë arsye, në vitin e parë të qeverisjes kemi në çdo cep të botës kudo që kanë shkuar ministrat, zëvendësministrat e përfaqësues të Qeverisë kanë pasur një ndërlidhje me komunitetin. Nuk është kjo patjetër vetëm temë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, diaspora është temë horizontale që prek çdo sektor të Republikës së Kosovës, por prek edhe jetën e bashkatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme... Ne jemi dera juaj e parë e ndërlidhjes, pastaj janë këto celulat e tjera, për këtë arsye në planit e zhvillimit kombëtar për vitin 2030 diaspora shihet si shtyllë në kuadër të politikës horizontale për qeverisje të mirë... Për qeverinë tonë diaspora shihet si ekspertizë si njohuri dhe si agjendë i ndërlidhjes në këtë rast për këtë arsye kemi lansuar platformën për diplomaci qytetare”, ka thënë Gashi.

Konferenca “Diaspora flet” është organizuar nga “Germin” për tri ditë me radhë më 18, 19 dhe 20 maj, tema e përgjithshme e saj ishte “Si mund të bashkëkrijojmë”.