Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në përurimin e aparaturës së re për rrezatimin e pacientëve me kancer, në Klinikën e Onkologjisë. Ai tha me këtë rast se pajisja është funksionalizuar më shpejt sesa që ishte në planifikim. Por kontrata për blerjen e saj ishte nënshkruar një vit më parë, e paratë e dedikuara për të patën përfunduar në suficit, për shkak se SHSKUK-ja nuk i ka gjetur një hapësirë për ta vendosur
Mbi 1 milion e 400 mijë euro i shkuan në suficit ShSKUK-së vitin e kaluar, shkaku që pati nënshkruar kontratë për blerjen e një aparature për Klinikën e Onkologjisë, por nuk i bëri edhe hapësirë për ta vendosur.
Një vit pas nënshkrimit të kontratës për akseleratorin e ri të Onkologjisë, funksionalizimin e kësaj aparature të premten kryeministri Albin Kurti e kualifikoi si “punë të kryer para planifikimit”.
Me rastin e përurimit të pajisjes që shërben për rrezatimin e pacientëve të sëmurë me kancer, Kurti tha se listat e pritjes në Onkologji do të largohen deri në fund të vitit.
“Deri tash koha e pritjes ka qenë gjashtë deri në tetë javë, ndërkaq, sipas drejtorit Ilir Kurtishi, kjo kohë do të vijë në zero me shumë gjasa brenda këtij viti. Pra, nga gjashtë deri në tetë javë sa ka qenë koha e pritjes në listat e pacientëve, tash listat e tilla nuk do të jenë më, shumë shpejt për çështje pak muajve, sepse e kemi edhe akseleratorin e dytë. Vlera e tij është 1 milion e 444 mijë euro dhe ne do të vazhdojmë që të mbështesim personelin tonë shëndetësor, i cili punon me përkushtim maksimal, me devotshmëri, me profesionalizëm, me përgjegjësi për të gjithë pacientët të cilët vijnë këtu”, theksoi Kurti.
Projekti ishte promovuar muajin e kaluar nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia. E të premten, ai foli edhe për investime të tjera.
“Në Klinikën e Onkologjisë deri në fund të këtij viti do të investohen mbi 2 milionë euro në infrastrukturë. Përveç përmirësimit në kushtet momentale, do të ketë edhe zgjerim të kapaciteteve. Pritjet me orë të pacientëve për të marrë shërbimet e tyre do të minimizohen në maksimum, pasi do të ketë shtretër të nevojshëm për të marrë kimioterapinë e nevojshme, por edhe shërbime të tjera për të cilat vijnë pacientët në këtë klinikë”, tha Vitia.
E Ilir Kurtishi, drejtori i Klinikës, theksoi se funksionalizimi i akseleratorit të ri do ta ulë nevojën për trajtimin e pacientëve me kancer jashtë vendit.
“Me këtë investim në aparaturën e re pacientët tanë do të kenë trajtim modern dhe meritor. Ne për herë të parë në Kosovë do të përdorim edhe një teknikë të re të rrezatimit, e cila quhet ‘streo-taksik’ dhe e cila bëhet për forma të veçanta të tumoreve të lokalizuara në tru apo vende të tjera të trupit. Nga viti tjetër pacientët që e kanë marrë këtë shërbim jashtë Kosovës, tani do ta marrin në Kosovë”, theksoi Kurtishi.
Gjatë adresimeve për media, kryeministri Kurti u përkujdes që t’u tregojë bashkëfolësve se kur dhe cili të flasë.
“Tash e ka fjalën ministri Arben Vitia”, tha ai
E kur deklarimet e parapara u përmbyllën, Kurti refuzoi t’i pranojë pyetjet e gazetarëve, tek tha se në Onkologji ndodhet për pacientët. Përgjigje nuk ndaloi për t’u dhënë as edhe atyre pyetjeve që kishin të bënin me qëllimin e vizitës së tij në QKUK.