Kryeministri Albin Kurthi ka kërkuar që të ndërpritet, siç ka thënë, avazi i bllokimit të reformave të Qeverisë që drejton. Në nismë të mbledhjes së ekzekutivit, ai ka marrë për shkas konceptdokumentin për fondin sovran, për të cilin tha se muajin e ardhshëm bëhet një vit qëkur është dërguar në Kushtetuese. Ndaj Kurtit ka reaguar opozita
Gjykata Kushtetuese dhe opozita janë kritikuar të mërkurën nga kryeministri Albin Kurti, në nismë të mbledhjes së Qeverisë.
Duke folur për konceptdokumentin për fondin sovran që është kontestuar në Kushtetuese, Kurti tha se çdo ditë që ky dokument mbetet në sirtarët e gjykatës është kohë e humbur e pengim i shtetit.
“Në shkurt të vitit 2022, kemi miratuar në Qeveri konceptdokumentin për fondin sovran, që qëmton modelet më të suksesshme në botë dhe propozon rrugën e veçantë që duhet ta ndjekë fondi sovran i Republikës së Kosovës. Kanë kaluar një vit e gjysmë që e kemi miratuar në Qeveri projektligjin që i hap rrugë themelimit të fondit. Në dhjetor 2023, në Kuvendin e Republikës e kemi miratuar Ligjin për fondin sovran të Republikës së Kosovës. Kurse muajin tjetër, bëhet një vit prej kur ligji është në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë kryeministri. “Çdo ditë që po kalon, është kohë e humbur dhe jashtëzakonisht e vlefshme, meqenëse po pengohet shteti ynë në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore, teksa ne shënojmë rritjen më të madhe ekonomike, të shoqëruar me progresin më të lartë demokratik”.
Kryeministri Kurti ka vlerësuar se fondi sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve.
Ai ka hedhur dyshime për ndikim të Kushtetueses nga opozita.
“Urojmë që paralajmërimet opozitare, që Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë ligjin tonë për fondin sovran të Kosovës, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Pra, urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste, siç ndodhi me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me Ligjin për çmimin tavan për produktet bazë, ndër të tjera”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndaj Kurtit ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu. Ajo shkroi në Facebook se fajin nuk e ka Kushtetuesja.
“Fajet i kanë ministrat, zëvendësministrat, deputetët dhe këshilltarët e tu të shumtë, që po krijojnë ligje të cilat e shkelin me të dy këmbët aktin më të lartë juridik të shtetit tonë. Lëre rehat Gjykatën Kushtetuese dhe secilin institucion tjetër i cili po mundohet ta ruajë shtetin nga keqqeverisja juaj”, ka shkruar ajo.
E, në hapje të mbledhjes së ekzekutivit, kryeministri ka folur edhe për çështje të tjera. Ai ka thënë se për të dëshmuar punën e madhe dhe tejet të rëndësishme që mund të bëhet brenda një viti, me institucionet që janë themeluar, mund të merret si shembull Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Ky institut u themelua nga nevoja për të ruajtur dhe për të dokumentuar të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Këtë javë, Instituti paraqiti raportin njëvjetor të punës.
Kryeministri ka përsëritur se nëse do të renditeshin materialet e grumbulluara si foldera që qëndrojnë në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo 15.8 terabajtë.
“E gjithë kjo falë përkushtimit të të gjithë atyre që kanë kontribuuar: qytetarëve, organizatave, institucioneve, komunave, ministrive, gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe koleksionistëve të ndryshëm. Falënderoj secilën e secilin prej jush për dëshmitë që keni ndarë dhe për kujtimet që keni ruajtur. Ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni ta mbështesni Institutin drejt realizimit të këtij misioni të drejtë e fisnik të tij. E dimë se ky proces nuk është i lehtë, por është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën, për ta dokumentuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë. Ky bashkëpunim është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për ta mbrojtur kujtesën tonë kolektive”, ka thënë kryeministri.
Mes tjerash, në mbledhjen e kabinetit qeveritar është miratuar Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025-2030, nga e cila shpalosi hollësi ministri Arben Vitia.
“Strategjia mundëson koordinimin në shëndetësi, planifikimet e ardhshme të bazuara në prioritete sipas nevojave reale, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e shërbimeve të reja që reduktojnë shpenzimet e qytetarëve”, ka thënë ai.
Kryeministri, ndërkaq, ka thënë se me reformën që po bëjmë në sektorin e shëndetësisë, po sigurohet qasje e plotë për të gjithë qytetarët në shërbime shëndetësore cilësore e të sigurta, pa vështirësi financiare.
Ai ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Sipas kryeministrit, kjo luftë po fuqizohet me një ligj modern, që përcjell standardet e Bashkimit Evropian kundër shpëlarjes së parave.
Pas fjalës së tij, Qeveria ka aprovuar Projektligjin kundër shpëlarjes së parave. Kryeministri Kurti tha se miratimi i tij mundëson aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).
“Republika jonë kësisoj e përmbush kushtin e fundit për aplikim për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane apo SEPA (Single Euro Payments Area). Anëtarësimi i Kosovës në SEPA sjell përfitime të shumta për ekonominë tonë duke përfshirë lehtësimin e transfereve ndërkombëtare e ndërbankare dhe uljen e kostove të atyre transaksioneve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Sipas një studimi të ‘German Economic Team’, anëtarësimi në SEPA qytetarëve tanë ua kursen rreth 55 milionë euro në vit, të cilat ishin shpenzime të mëhershme të transfereve ndërbankare e ndërkombëtare të parave”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në këtë mbledhje, mes tjerash, është dhënë mendim mbështetës lidhur me Nismën Legjislative të Kuvendit për ndryshimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, është miratuar Projektrregullorja për Performancë Rajonale dhe Monitorim të Zhvillimit Socio Ekonomik Rajonal të Balancuar, si dhe ka marrë votimin Rregullorja për të Drejtat e Rabatit, e të cilën e ka sponsorizuar Ministria e Kulturës.
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka thënë se, si instrument i ri që është prezantuar me Ligjin e ri të Kinematografisë, rabati synon të tërheqë në Kosovë investime në prodhimet kinematografike dhe audiovizuale, shuma prej 30 për qind e të cilit investim i kthehet kompanisë investuese në vend.
Ministri, në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë, ka dënuar rrahjen mes dy zyrtarëve të institucionit që ai drejton.
“Askush, pa marrë parasysh kontekstin, rrethanat ose arsyet mbrapa, nuk ka të drejtë për të përdorur dhunë ndaj dikujt tjetër, sidomos brenda institucioneve të shtetit. Në momentin që i kemi informatat e sakta se çfarë ka ndodhur, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme”, ka thënë Çeku.
Ai ka folur edhe për bashkëpunimin e Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian, grupmosha U21. U shpreh se arsyetimet e Federatës Shqiptare për mungesë të infrastrukturës në Kosovë nuk qëndrojnë.
“Nuk është mirë, besoj unë, që ka ndodhur në formën çfarë ka ndodhur. Do të duhej të paktën Shqipëria të ishte korrekte, Federata, që të vinte dhe të na pyeste në lidhje me investimet dhe me infrastrukturën tonë dhe pastaj të vepronte në një formë ose tjetrën”, ka thënë Çeku.
Në mbledhjen e ekzekutivit është miratuar edhe vendimi për shpronësimin e pronave që do të preken nga zgjerimi i rrugës QMI-Lipjan si dhe vendime për të tjera shpronësime. Janë ndarë edhe mbi 7 milionë euro për garantim të kredive në zbatim të njërës nga masat në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.