Takim presidentja e KE-së pati në Prishtinë edhe me kryeministrin Albin Kurti. Gjatë diskutimeve të përbashkëta, Kurti kërkoi që Kosovës t’i ofrohet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, të cilën ai tha se vendi e meritoi me anë të përpjekjeve të dëshmuara për demokraci dhe integrim. Në takim u bisedua edhe për Planin e Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova do të përfitojë afro 900 milionë euro
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar të shtunën se angazhimi i Kosovës për zhvillim, demokraci dhe integrim duhet të shpërblehet me sigurimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Këtë ai e ka theksuar pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, së cilës ia kërkoi edhe heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
“Unë ritheksova rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të padrejta të BE-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë mbi takimin me kryeministrin.
Ndërkaq, në njoftimin mbi takimin me kryeministrin, Von der Leyeni nuk elaboroi mbi kërkesat, ndërsa Kurtin e përgëzoi për sukseset e Kosovës në ekonomi gjatë vjetëve të fundit.
“Urime për sukseset mbresëlënëse ekonomike të këtyre viteve të fundit. Jemi krenarë që ju mbështesim. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku hap pas hapi për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Vizita e Von der Leyen në Kosovë, në kuadër të turnit të saj në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, ka në fokus diskutimin për Planin e Rritjes së BE-së dhe përmbushjen e agjendës së reformave, të cilat u miratuan për Kosovën tri ditë më parë.
Pas takimit Kurti-Von der Leyen, Zyra e Kryeministrit njoftoi për diskutimet e zhvilluara mbi zbatimin dhe përfitimet nga këto reforma.
Me përmbushjen strikte të kësaj agjende, deri më 2027, Kosova do të përfitojë 882 milionë euro nga fondet e BE-së.
“Kryeministri tha se jemi të gatshëm e të përkushtuar që sa më parë të zbatojmë reformat edhe të përfitojmë sa më shumë nga mbështetja financiare në dispozicion që arrin vlerën prej 882 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Von der Leyeni bëri të ditur se deri në fund të vitit, BE-ja do të bëjë parafinancimin e më shumë se 60 milionë eurove për Kosovën, që do të ndahen për ekonomi, siguri energjetike, punësim, tërheqje të investimeve e të tjera.