LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara

Për raporte ndërshtetërore dhe jo për ato mes Qeverisë së tij dhe administratës amerikane ka folur kryeministri Albin Kurti, tek ka komentuar deklaratën e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James O’Brien, për mundësinë që Qeveria e Kosovës të mos trajtohet më si partnere. Kurti tha se Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se ShBA-në.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk ka partner më të madh se Shtetet e Bashkuara, një ditë pasi ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, paralajmëroi që Uashingtoni mund të mos e trajtojë Qeverinë e tij si partnere.

Kërcënimi u bë pas përcaktimit të Qeverisë që të mos përfillë kërkesat e ndërkombëtarëve për Rregulloren e BQK-së, që ndalon pagesat në valutën e Serbisë.

Gjatë një vizite në Prizren, kryeministri u përball me pyetjet e gazetarëve përkitazi me kërcënimin nga Uashingtoni, por ai foli për raportet ndërshtetërore dhe jo për ato mes qeverisë së tij dhe administratës amerikane.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka deklaruar Kurti.

E, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se me faktorin ndërkombëtar ka pasur dallime vetëm në çështjen e periudhës tranzitore të zbatimit të Rregullores së BQK-së.

“S’ka dilema dhe s’ka asnjë dallim sa i përket qëllimit që duam të arrijmë. I vetmi dallim është sesi të dizajnohet periudha tranzitore, për të cilën është kërkuar që të ofrohet...”, ka thënë Murati.

Ambasadori amerikan në Prishtinë ka thënë se është në të drejtën e BQK-së ta bëjë rregulloren, por ai dhe zyrtarë evropianë kërkuan fazë të gjatë tranzicioni derisa të ndalohet dinari. Por, autoritetet në Prishtinë vendosën që kjo fazë të mos jetë më e gjatë se tre muaj.