Ka eskaluar në përplasje fizike vazhdimi i dytë i seancës konstituive që nisi me kërkesën për shtyrje të saj dhe përfundoi me ndërhyrjen e sigurimit në sallën e Kuvendit. Tensionet u rritën pasi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, veprim që u pasua edhe me shtyrje mes ligjvënësve. Kurti, nuk e ka problematizuar hedhjen e vezëve në drejtim të tij. Ai ka thënë se problem përbën fakti i refuzimit të liderëve të partive për t’u takuar me të, me qëllimin për të arritur marrëveshje për presidentin. Përfaqësues të disa subjekteve të tjera parlamentare e kanë quajtur seancën si të turpit, e disa i kanë bërë thirrje LVV-së të propozojë sa më parë kryetarin e Kuvendit
Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar as në vazhdimin e dytë të seancës, që u mbajt 12 orë pas skadimit të afatit për përmbyllje të saj, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Takimi i deputetëve të rinj zgjati vetëm 5 minuta.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dy ditë më parë, nuk dha propozimin për kryeparlamentar, me arsyetimin për t’i dhënë rast arritjes së një marrëveshjeje për presidentin.
“Takimet dhe komunikimi imi si kryeministër në detyrë dhe kryetar i subjektit fitues Lëvizja Vetëvendosje me kryetarët e partive të tjera parlamentare kanë vazhduar. Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja iu lus për kohë shtesë”, ka thënë Kurti.
Kërkesë për marrëveshje politike si të bashkëpartiakut, bëri edhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Edhe
Tensioni në Kuvend, lajm botëror
“Të nderuara deputete, të nderuar deputetë i lus kryetarët e të gjitha partive të shtojnë përpjekjet për marrëveshje politike”, është shprehur ai.
Pas kësaj, situata eskaloi në sallën e Kuvendit.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit dhe u pasua edhe me shtyrje fizike mes ligjvënësve.
VIDEO:
Sherrin që plasi brenda sallës së Kuvendit, nuk e pa e as dëgjoi kryesuesi Dehari.
Ai veproi, pasi mori këshillë nga ushtruesja e detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit.
“Ndërprite seancën”, ishte thirrja e Feride Podvoricës – ushtruese e detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit.
Më pas reagoi Dehari.
“Të ndërpritet seanca, sigurim, shërbimi i sigurimit le të ndërhyjë, ju lutem. Ju lutem, shërbimi i sigurimit”.
Pas intervenimit të deputetëve dhe stafit të sigurisë, Dehari e mbylli seancën.
“Seanca ndërpritet, do të njoftoheni me kohë, kur do të mbahet seanca në vazhdim”, ka thënë Dehari.
Mbështetur në një aktgjykim të Kushtetueses, vazhdimi i seancës duhet thirrur më së largu 48 orë nga mbyllja e saj.
E, ndonëse Vetëvendosja është akuzuar për shkelje të afatit kushtetues, meqë konstituimi i legjislaturës nuk është bërë brenda afatit 30-ditor, në sallën e Kuvendit u paraqitën deputetë nga të gjitha partitë.
Kurti: Nuk ankohem që ata hodhën vezë, ankohem që nuk duan të takohen
Pak kohë pasi në drejtim të tij u hodhën vezë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk ankohet për këtë. Ai ka theksuar se ankohet për mungesën e gatishmërisë së opozitës për t’u ulur në tryezën e negociatave.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e gjuajti me vezë, pasi Kurti sërish kërkoi shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit, me qëllimin për të arritur marrëveshje për presidentin.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe bisedojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hodhën vezë, ankohem që ata nuk duan të takohen”, ka thënë Kurti para mediave.
Edhe
Fotot dhe videot që tregojnë hedhjen e vezëve nga Kadrijaj drejt Kurtit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, është i vetmi nga liderët e subjekteve të mëdha politike që i ka refuzuar ftesat e Kurtit për takim. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim pas të cilit ka thënë se partia që e drejton do të mbetet në opozitë. Ndërkaq, diskutimet e iniciuara nga Kurti janë zhvilluar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, deri të premten, por palët nuk kanë hequr dorë nga qëndrimi për postin e presidentit. Kurti kërkon që presidenti të jetë apartiak e Abdixhiku ka thënë se ky post duhet t’i takojë LDK-së.
Kurti tha të shtunën se pa marrëveshje politike mes partive, konstituimi i Kuvendit do ta çonte shtetin drejt zgjedhjeve të reja.
“Nuk propozuam një emër për kryetar Kuvendi, ndonëse i kemi votat për një gjë të tillë. Meqenëse çfarëdo konstituimi i Kuvendit, pa marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për Presidentin e Republikës, pashmangshëm do të na shpinte tek zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të pashmangshme, të panevojshme dhe gjithsesi të dëmshme. Andaj, insistimi ynë i drejtë dhe i dobishëm është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi vesh”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka thënë se pavarësisht dallimeve mes partive, ende nuk duhet të konsiderohen të dështuara përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Në këto orët e fundit, ndërmjet fillimit të seancës për konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimit të kësaj seance, unë kam pasur takime. Gjithashtu kam shkruar letra. Kam shkruar letra që ftojnë për takime, kam shkruar letra që japin përgjigje për qëndrimet e subjektit tim, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderët e partive politike dhe unë nuk besoj që duhet t’i shpallim përpjekjet të dështuara apo të përfunduara”.
Hoxhaj e quan “seancë të turpit”, Lushaku “fatkeqësi” e Ramadani “situatë absurde”
Subjektet kryesore politike të përfaqësuara në Kuvend kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj Albin Kurti, për moskonstituimin e legjislaturës së re, brenda afatit 30-ditor të definuar nga Gjykata Kushtetuese.
Takimin e së shtunës, deputeti i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj e ka cilësuar si “seancë të turpit” dhe, tek i është referuar faktit se salla e Kuvendit ka qenë e mbyllur në orët e mbrëmjes së të premtes, ka thënë se Vetëvendosja po e trajton këtë institucion si pronë të saj.
“Nëse dje simbolikisht ja kanë vu drynin sallës së kuvendit sot ja kanë vu drynin demokracisë... Kosova prej sot nuk ka më demokraci. Në këtë vend nuk ka as kushtetutë, as rend kushtetues. Zoti Kurti i ka shkatërruar, i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike të këtij vendi dhe është ndër ditët më të rënda që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës prej ekzistencës së saj si shtet sovran dhe i pavarur”, ka deklaruar Hoxhaj.
Edhe ligjvënës të Lidhjes Demokratike u janë bashkuar atyre të partive të tjera në kritika, një ditë pasi u shprehën dallime të mëdha mes kësaj partie dhe Vetëvendosjes, rreth arritjes së një marrëveshjeje koalicioni.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se e gjithë përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen.
“Po e shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të bërë votimin dhe për t’u konstituar Kuvendi. Dhe kjo është vërtet fatkeqësi, është mungesë e madhe, por është papërgjegjësia e tyre. I bëj të gjithë qytetarëve thirrje që ta shohin këtë pamje të një Kuvendi i cili mblidhet dhe nuk arrin që të konstituohet, e përgjegjësia i takon subjektit më të madh”, ka thënë Lushaku.
Ndryshe nga deputetët e këtyre dy partive, për media nuk u deklaruan pas ndërprerjes së seancës ata të Aleancës.
Ka qenë deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, ajo që ka gjuajtur me vezë në drejtim të Kurtit, veprim që u pasua me përplasje fizike mes deputetësh.
E, gjatë pritjes për vazhdimin e seancës, deputeti Burim Ramadani tha se Kosova ka humbur jashtëzakonisht shumë kohë, duke mos pasur institucione funksionale.
“Jemi në një situatë total absurde jo vetëm në aspektin legal edhe paqartësisë kushtetuese që për bindjen tonë dje ka përfunduar afati kushtetues por megjithatë kjo është situatë total absurde edhe politike edhe njerëzore edhe partiake”, ka theksuar Ramadani.
Përfaqësues të këtyre partive, gjatë paraqitjeve publike, nuk dhanë shenja se do t’i përgjigjen ftesës së Kurtit për takim dhe as nuk folën për mundësinë e marrëveshjes me Vetëvendosjen, rreth çështjes së presidentit.
Edhe
Kurti pranon të gjuhet me vezë “vetëm që të ulet në takim” me opozitën
Kuvendi konsiderohet i konstituuar ditën kur të zgjidhet edhe kryeparlamentari dhe të 5 nënkryetarët. Po atë ditë nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. E, nëse përgjatë kësaj dështon zgjedhja, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të parakohshme.
Vetëvendosja, bashkë me ligjvënës të komuniteteve e pa përfshirë ata të Listës Serbe, ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta votuar qeverinë. Por, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy rundet e para.