LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Kapitulli i dialogut të marrë parasysh edhe përpjekjet e Serbisë për aneksim

Dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, gjatë vizitës që i bënë Kosovës janë pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Ata kërkuan që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të vihen para drejtësisë dhe shtruan nevojën për vazhdim të dialogut. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas sulmit, kapitulli i dialogut duhet të marrë parasysh edhe përpjekjet e Serbisë për aneksim

Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimin me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch. Kurti ka shtruar nevojën për të marrë veprime, në mënyrë që dialogu të ketë edhe një mundësi për të pasur sukses.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk mundet thjesht të vazhdojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mund të kthehemi në ‘punë të zakonshme’ në status quo ante. Kapitulli i radhës i dialogut duhet tash që t’i marrë parasysh veprimet agresive të Serbisë dhe qëllimin e saj të zbuluar për ta aneksuar veriun e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, primare është që në dialog të ketë qasje të balancuar, duke përfshirë sipas tij, notifikimin dhe dënimin e çdo shkeljeje, çdo prishjeje të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit. “Është më urgjente tash se kurrë, që Serbia të ndalojë së thëni se nuk do ta njohë Kosovën e pavarur, të zmbrapset publikisht nga refuzimi i saj i pjesëve të Marrëveshjes Bazë të cilat kanë të bëjnë me njohjen de fakto të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kjo është absolutisht e domosdoshme për sigurinë e vendit tonë tash e tutje”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, senatorja Jeanne Shaheen ka thënë se vëmendja e BE-së dhe SHBA-së për rajonin duhet të shihet si mundësi dhe të shfrytëzohet nga Kosova.

“Mendojmë se është koha e duhur, një përkujtim i mirë, që stabiliteti afatgjatë i këtij rajoni dhe i Kosovës me të vërtetë nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë për të adresuar në mënyrë paqësore dallimet mes vendeve tuaja”, ka thënë ajo.

Në takim, Kurti ka theksuar se ka njoftuar senatorët amerikanë për zhvillimet më të reja lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku. Shteti i Serbisë, sipas Kurtit është i përfshirë në sulm në së paku nga katër shtresa, përfshirë këtu presidencën, ministrinë e Mbrojtjes, atë të Punëve të Brendshme e shërbimet e inteligjencës.

“Kemi prova të cilat i kemi ndarë me partnerin, që sulmi kishte qenë pjesë e një plani më të madh për të aneksuar tërë veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar ndaj 37 pozicioneve të ndryshme. Kjo do të pasohej nga themelimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin e vazhdueshëm të armëve dhe trupave në veri të Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, derisa ka kërkuar që të ndalen përpjekjet e Serbisë për destabilizim të rajonit. “Është koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për ndryshe këto sjellje dhe sulme agresive do të vazhdojnë edhe më tutje”.

Senatorja Shaheen ka kërkuar që përgjegjësitë e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, të vihen para drejtësisë.

E, edhe në takimin me presidenten Vjosa Osmani, senatorja amerikan shfaqi shpresën që Serbia të bashkëpunojë në hetimet për këtë rast.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të bëjmë gjithçka që mundemi për një zgjidhje paqësore në këtë rajon për të siguruar që të mos ketë përhapje të dhunës dhe konfliktit”, ka deklaruar ajo.

Shaheen ka përshëndetur rritjen e trupave të KFOR-it në Kosovë duke thënë se ata do të luajnë rol në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani pas takimit me Shaheen dhe Welch ka thënë se përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit duhet të kërkohet edhe nga Serbia, në mënyrë që të ndalohet realizimi i qëllimit të saj për destabilizimin e rajonit.

“Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që të përballen me sistemin tonë të drejtësisë, si dhe të rriten garancitë e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka deklaruar se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për të kontribuar, siç ka thënë ajo në paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie por edhe për rajonin në përgjithësi.

Po ashtu ka thënë se do të kërkojnë drejtësi për vrasjen e rreshterit Bunjaku e për aktin e agresionit. “Republika e Kosovës është këtu për të qëndruar, sot e përgjithmonë, e palëkundur në vendosmërinë e saj për ta mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial si dhe rendin e ligjin në çdo cep të saj si dhe për të mbrojtur aleancat me shtete demokratike dhe në veçanti aleancën e shenjtë me SHBA-në”, ka thënë ajo.

Pas sulmit që një grup paraushtarak serb e kreu në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, kanë kërkuar kthimin e palëve në dialog. Ndërkaq, autoritetet në Kosovë kanë këmbëngulur që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e edhe të sanksionohet.