Të tejkalueshme i ka quajtur kryeministri Albin Kurti dallimet në qëndrime që i kanë shprehur kohëve të fundit me presidenten Vjosa Osmani. Ai është shprehur se të tilla diskutime ka edhe me bashkëpartiakë të tjerë të tij e me anëtarë të Qeverisë. Kurti foli edhe për masat ndëshkuese të BE-së, heqja e të cilave tha se po vonohet si pasojë e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk janë të patejkalueshme dallimet në qëndrime që së fundmi janë shprehur mes tij dhe presidentes Vjosa Osmani.
Kurti ka thënë se dallime të tilla ka edhe me bashkëpunëtorë të tjerë brenda partisë e Qeverisë, porse nuk janë të pakapërcyeshme.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme apo...”, ka thënë ai të martën.
Përplasjet mes presidentes Vjosa Osmani e eksponentëve të Qeverisë janë shpalosur ditë më parë me moskoordinimin mes tyre në lidhje me letrën zotuese për hartimin e draftstatutit të Asociacionit një ditë para takimit të ministrave të Këshillit të Evropës.
Kryeministri Kurti ka folur edhe për masat e Bashkimit Evropian, të cilat tha se u vendosën padrejtësisht dhe nuk u hoqën ndonëse situata në veri u qetësua.
Ai tha se largimin e tyre po e vonojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Gjendja sërish ka deeskaluar, a do të rieskalojë, përgjigjja është në Beograd andaj atje duhet të bëhet trysnia për të pasur paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Unë besoj që heqja e këtyre masave që po vonohet ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme të BE-së dhe sidomos me faktin që janë në fushatë zgjedhore për Parlamentin e ri Evropian”, ka deklaruar ai.
Një vit më parë, si pasojë e mospërfilljes së kërkesave të BE-së për hapa të menjëhershëm në funksion të uljes së tensioneve në veri, blloku evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Ato janë në fuqi ende.