LAJMET E MBRËMJES

Kurti e Szunyogu me pikëpamje të kundërta për efektin e reformës në administratë

Miratimi i Ligjit për Pagat dhe i atij për Zyrtarët Publikë ka konfrontuar kryeministrin Albin Kurti dhe shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog. Në një tryezë të organizuar të martën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Kurti tha me zbatimin e këtyre ligjeve, do të rritet performanca dhe efikasitetit në administratë. Por, Szunyog shprehu drojën se versionet e miratuara i bëjnë zyrtarët publikë më të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe ndikimit politik

Kryeministri Albin Kurti dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Tomas Szunyog, shprehën qëndrime konfrontuese rreth rezultateve që i prodhon reforma e fundit në administratën publike.

Gjatë diskutimit në këtë temë, në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, të martën, kryeministri Kurti tha se zbatimi i Ligjit për Pagat dhe i atij për Zyrtarët Publikë do të ndikojë në rritjen e performancës dhe efikasitetit në administratë.

“Këto dy ligje synojnë profesionalizimin e administratës publike përmes promovimit të meritokracisë, krijimin e mundësive për tërheqjen dhe mbajtjen e kapaciteteve profesionale në sistemin tonë institucional, shpërblimin e drejtë të kontributit ndaj shtetit, kthimin e trurit nga diaspora, krijimin e mundësive për avancim për zyrtarët brenda administratës dhe ndërveprim me sektorin privat”, ka thënë Kurti.

Por, Szunyogu kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin, pasi tha se nuk kanë marrë parasysh komentet që zyra e BE-së i ka dhënë për këto lidhje. Sipas tij, versionet e miratuara i bëjnë zyrtarët publikë më të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe ndikimit politik.

“BE-ja nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë këtë ligj dhe më vjen keq të them që komentet që ka bërë BE dhe SIGMA, asnjëra nga to nuk është marrë parasysh nga qeveria apo parlamenti. Ligji, zyrtarët publikë i vendos ata në një rrezik të korrupsionit dhe ndikimit politik. Edhe pse ka disa boshllëqe, asnjë rekrutim nuk është bërë që dy vjet dhe besojmë që ligji i ri nuk do të krijojë kushte atraktive për të rekrutuar njerëz në këto pozita të lira”, ka thënë Szunyog.

E nikoqirja e takimit, Arbëreshë Loxha-Stublla, tha se reforma në administratën publike kërkon përkushtim të lartë politik.

“Vullneti i qartë politik konsiderojmë që është kyç për të mundësuar një proces sa kompleks aq edhe të rëndësishëm dhe delikat, siç është reforma e administratës publike. Në këtë drejtim kombinimi i vullnetit politik, i cili është i shprehur qartë në synimet konkrete, dhe nomenklatura e nëpunësve civilë që kanë integritet të lartë dhe njëkohësisht janë në vendet e duhura konsiderojmë që është i rëndësishëm për proces të suksesshëm dhe reformues”, ka deklaruar Loxha-Stublla, drejtoreshë e Grupit për Studime Politike dhe Juridike.

Konferenca vjetore “PAR Progresi Kosovë 2023”, për gjatë një dite diskutimi mblodhi në disa panele të ndara përfaqësues institucionesh, si dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

B O X***

T: Avokati i Popullit pranon 35 ankesa për ulje të pagave

Avokati i Popullit ka njoftuar të martën se deri më tani ka pranuar 35 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik.

Në një përgjigje për KOHËN, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se ankesat janë bërë nga sektorë të ndryshëm.

“Ankesat kanë ardhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata Sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për Pajisje të Dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të tjerë”, thuhet në përgjigje.

Ankesat kanë të bëjnë me uljen e pagave bazuar në Ligjin për Paga i miratuar së fundi në Kuvend.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin. Pas kësaj, sipas njoftimit, do të dalë me një qëndrim.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik është caktuar 105 euro. Ligji i Pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt.