Samiti i Procesit të Berlinit, që këtë vit shënon përvjetorin e 10, ka qenë temë diskutimi i krerëve të shtetit me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti me Sarrazinin thanë se kanë diskutuar edhe për zhvillimet e tjera në vend e rajon
Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Gjermanisë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Këshillin e Evropës.
Në takimin që të martën Osmani pati me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet politike e të sigurisë në Kosovë e rajon.
“Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë. Ajo në veçanti theksoi mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e dala nga ky proces. Në të njëjtën kohë, presidentja Osmani shtroi nevojën për vazhdimin e mbështetjes gjermane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takim me Sarrazinin zhvilloi edhe kryeministri Albin Kurti.
Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime edhe në Bosnjë-Hercegovinë, para samitit të radhës të Procesit të Berlinit.
“Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuuese e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti ka shtruar nevojën edhe të zbatimit të marrëveshjeve të dala nga ky proces, si ai për qarkullim të lirshëm në Ballkanin Perëndimor vetëm me letërnjoftime.
“Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor”, thuhet në njoftim.
Pas takimeve mes udhëheqësve të shtetit e emisarit Sarrazin ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Diskutimet e emisarit gjerman me Osmanin e Kurtin ai i ka konsideruar të mira në drejtim të hapave të ardhshëm të Procesit të Berlinit e marrëdhënieve mes Kosovës e Gjermanisë.
Procesi i Berlinit këtë vit shënon një dekadë nga nisja. Në 10-vjetorin e tij, samiti punimet do t’i zhvillojë në Berlin, ku në tetor do të mblidhen përfaqësues të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të BE-së.