Gjatë 2023-tës në Kosovë janë gërmuar 15 lokacione të ndryshme dhe janë zhvarrosur 20 trupa të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999. Kryeministri Albin Kurti, në prezantimin e raportit për të pagjeturit, ka theksuar se çështja e tyre rëndon normalizimin e raporteve me Serbinë. Ai ka thënë se Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të premten se mungesa e përgjigjeve për vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit ka rënduar normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në prezantimin e raportit vjetor për të zhdukurit, Kurti ka theksuar se Serbia duhet t’i pranojë krimet që i ka kryer në Kosovë.
“Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transferuan në Serbi për rivarrim në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës. Midis atyre trupave ishin 46 anëtarë të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15-vjeçare. Mes tyre, dy foshnja dhe një grua shtatzënë. Aty nuk është e vendosur ndonjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty. Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidal për zhvarrosje të shqiptarëve e të quajtur ‘Patkoi’”, ka thënë Kurti të premten.
Ai ka vlerësuar se jo vetëm personat e zhdukur, porse edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi.
“Krim ky, i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”, ka thënë ai.
Kurti e ka kualifikuar të domosdoshëm angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zbatimin e deklaratës së 2 majit të 2023-tës, të dakorduar në kuadër të dialogut të Brukselit, për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se në Kosovë janë gërmuar 15 lokacione të ndryshme, të cilat kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave.
“Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë, tash e 24 vjet. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, ka theksuar ai.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000 të tjerë, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000, prej të cilëve 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.