Qytetarë të shumtë janë mbledhur të shtunën para ndërtesës së Qeverisë për të protestuar kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind. Organizatorët nga nisma “Asnjë cent më shumë” paralajmëruan se nëse ky institucion nuk zmbrapset nga kjo ide, më 11 prill do të protestojnë sërish dhe se ajo protestë do të jetë edhe më masive
Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë për 15 për qind ka grumbulluar qytetarë të shumtë në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, të cilët kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të zmbrapset nga përcaktimi për tarifat e reja.
Me pankarta në të cilat dominuan mesazhet “Nuk paguajmë për dështimet tuaja”, “Fatura jonë, pasuria juaj”, “Ndal varfërimit të qytetarëve”, “Stop vjedhjes me tarifa”, “Qytetarët nuk janë bankomatë”, “Rrymë për jetë, jo për profit”, qytetarët i kërkuan Qeverisë dhe akterëve të tjerë që të mos u bëjnë favor kompanive private në dëm të qytetarëve.
Besnik Shabiu, aktivist i nismës “Asnjë cent më shumë”, që organizoi protestën, ka thënë që presin nga institucionet që deri më 11 prill të reflektojnë.
“Deri ditën e premte, ku do të jetë data 11 prill, ku pritet që ZRRE-ja të marrë vendimin, ne presim që institucionet relevante të reflektojnë, të dalin para qytetarëve, të heqin dorë nga kjo poshtërsi. Nëse nuk ndodh kjo, do të jemi të detyruar që të ngremë zërin. Sot jemi mijëra, do të bëhemi edhe mijëra sosh, ndoshta edhe qindra mijëra. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që jeta e qytetarëve të vështirësohet”, ka thënë Shabiu.
E aktivisti Ali Sefaj, teksa ka kritikuar edhe gjuhën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të përdorur ditëve të fundit, ka paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimit.
“Ne jemi të vendosur, jo vetëm asnjë cent më shumë, por ne nuk shtyhemi asnjë hap më pas, derisa ata t’i realizojnë të drejtat pasi që ata nuk kanë të drejtë të na e shtrenjtojnë jetën tonë, me na vendosë në vështirësi dhe me na kriju vështirësi për t’i shkolluar fëmijët tanë si duhet dhe të përkujdesemi për të moshuarit tanë”, ka thënë Sefaj.
Nën brohoritjet “Asnjë cent më shumë” e “Besa Besë”, protestuesit kanë marshuar drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë në sheshin “Zahir Pajaziti”.
E nga aty aktivisti Dibran Hoxha drejtoi një sërë akuzash ndaj institucioneve qendrore.
“KEDS-i po abuzon me rritje të çmimit të rrymës në kurriz të qytetarëve e në krejt këtë abuzim ka gjetur shërbyes të përkryer: ZRRE-në, Ministrinë e Ekonomisë e krejt qeverinë. Prandaj këtyre institucioneve veç një pyetje ua kemi shtruar tash e sa vjet: Kujt po i shërbeni?”, ka thënë Hoxha.
Protesta u përmbyll teksa protestuesit vendosën pankartat tek hyrja e ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe paralajmëruan se nëse ZRRE-ja nuk zmbrapset nga propozimi për rritje të çmimit, më 11 prill do të protestohet sërish.