Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media, e kanë arsyetuar vendimin për kthimin e kanaleve të “Arena Sport” në platformat kabllore të Kosovës, pas kërkimfaljes së operatorëve, garancisë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe kërkesën e qytetarëve për ta kthyer transmetimin e këtyre kanaleve. Por, ndaj këtij vendimi kanë reaguar deputetët e VV-së, anëtarë të Komisionit parlamentar për media. Ata pos shkarkimit të bordit KPM-së, kanë thënë se dikush nga anëtarët e tij mund të jetë edhe i shitur
Shkarkim të Bordit të Komisionit të Pavarur për Media kanë kërkuar anëtarët e Komisionit për media të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, pas anulimit të vendimit që e ndalonte transmetimin e kanaleve të “Arena sport”. Ndalimi i këtyre kanaleve kishte ndodhur pas transmetimit të spotit ku lavdëroheshin terroristët serbë që e organizuan sulmin në Banjskë, e në të cilin u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Kërkesën për këtë mbledhje të jashtëzakonshme e ka bërë deputeti i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku.
“S’kemi pritur kësi vendimi, kështu që në raport me Serbinë, në raport me këso ngjarjesh ju në njëfarë forme bini pre e këtyre farë vendimeve që me të vërtetë ky ka qenë prej vendimeve skandaloze. Andaj për mua si deputet, e keni humbur kredibilitetin pas këtij vendimi që e keni marrë. Dhe do të kërkoj shkarkimin tuaj që sot”, ka thënë deputeti Isaku si iniciues i kësaj mbledhjeje.
Anëtarët e KPM-së e kanë arsyetuar vendimin e ri. Ato i ka listuar kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti.
“Përgjigjja e shkurt është se kanë pushuar rrethanat, të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë. E dyta, kemi marrë garanci nga operatorët dhe vetë kanalet e ‘Arena sport’ se përmbajtjet e tilla nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe e treta, kemi pas parasysh edhe interesin e qytetarëve, gjegjësisht përdoruesve për të pasur qasje në evente dhe ngjarje sportive, të cilat i ofron ky medium”, ka theksuar Mehmeti.
Ai e ka përmendur edhe të drejtën e transmetimit të Premier Ligës angleze, që sipas tij, të drejtën e transmetimit e kanë vetëm “Digjitalb” dhe “Arena sport”. Mehmeti ka thënë se ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarët që të lejohet transmetimi Arena sport.
Këto arsye nuk i kanë bindur deputetët e Vetëvendosjes.
Dimal Basha nga kjo parti ka thënë se dikush prej anëtarëve të KPM-së mund të kenë rënë në lajthitje, madje sipas tij, dikush prej tyre edhe mund të jetë shitur.
“Këtë arsyetim që ma ke dhanë mua, kisha pas qejf me shku me ia dhan edhe prokurorisë. Unë kam kërkuar nga Prokuroria me ba hetim. Nuk mendoj që krejt këtu janë të përfshirë, dikush këtu është i kalbur dhe prokuroria edhe ky shtet, po kemi me pas të vështirë, por po ju premtoj herdokur kanë me dalë senet”, është shprehur deputeti Basha.
Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi, u ka thënë anëtarëve të KPM-së se i kanë votuar duke besuar se do ta kryejnë misionin kushtetues.
“Kjo çështje nganjëherë po tentohet të zvogëlohet si trajtim i ankesave qytetare. Edhe 3 mijë të jenë nuk janë në raport me shkeljen që është bërë. Vendimi i që e keni marrë a ka pasur afat të caktuar? Lënda a është subjekt i trajtimit në ndonjë gjykatë? Ju mjaftoheni me një kërkimfalje. Nuk e di a mjaftohet familja e Afrim Bunjakut? Nuk e di a mjaftohen kolegët e Afrim Bunjakut? Nuk e di a mjaftohen qytetarët? Garanci po thoni! Çfarë garancie, kemi pasur raste të mohimit të shtetësisë te ky provajder”, ka thënë ai.
Jeton Mehmeti e ka quajtur thirrje për dhunë deklarimet e deputetëve, çka i ka mohuar deputeti Muzaqi. Sipas tij, mbrojtja e Republikës nuk është thirrje për dhunë.
Anëtarët e KPM-së, kanë thënë se është e padrejtë që vihet në pikëpyetje integriteti e patriotizmi i tyre.
“A e konsideroni termin Kosovë e Metohia cenim të sovranitetit tonë shtetëror, sepse nëse e konsideroni këtë term si cenim i sovranitetit shtetëror, Vladimir Luqiqi, në përshëndetjen e vendimit tuaj paska thanë që ‘më në fund kemi lajme të mira, Arena sport do të fillojë operimin në Kosovë e Metohi’. A i plotëson kjo 2 për qind të kërkimfaljes?”, ka pyetur deputeti i LVV-së Alban Bajrami.
Për këtë ka dhënë garanci anëtari i KPM-së, Fitim Veliu.
“Nëse vërtetohet, faktohet që ai e ka thënë atë deklaratë, unë po e bëj publike edhe para mediave që unë jam për ta shfuqizuar atë vendim”, ka thënë ai.
Deputeti Dimal Basha i ka pyetur anëtarët e tjerë nëse do ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri i ka paraqitur pesë kërkesa për anëtarët e KPM-së.
“Kërkesa është që me prezantu para komisionit funksional kronologjinë e vendimmarrjes, bazën juridike të këtij vendimi. Edhe unë jam i interesuar a ka pas media a jo, cilat janë saktë, kush edhe a u raportua ndonjë link prej atij takimi?, Edhe unë jam me ditë urgjencën e këtij vendimi, dhe a ka mundësi me na i dhanë ankesat, domethënë ankimimet, qysh janë procedurat saktë”, ka thënë ai.
Në fillim të takimit, kundër mbajtjes së mbledhjes janë shprehur deputetët e opozitës, Isak Shabani nga PDK, Agim Veliu nga LDK dhe Besnik Tahiri nga AAK, me arsyetimin se nuk e dinë për çka do të diskutohet dhe nuk kanë marrë asnjë material. Vazhdimi i mbledhjes është paraparë të vazhdojë të mërkurën e javës që vjen.
“Digitalb”: “ArenaSport” nuk e ka të drejtën e transmetimit të Premier Ligës në Kosovë
Në një sqarim të platformës “Digitalb” thuhet se kanalet e “Arena Sportit” nuk e kanë të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Premier Ligës angleze në Kosovë. Sipas njoftimit, këtë të drejtë e ka vetëm “Digitalbi” dhe kjo, sipas kompanisë, i është bërë me dije Komisionit të Pavarur të Mediave përmes shkresave të shumta që ka pranuar nga “The Football Association Premier League Limited”, të fundit më 19 tetor 2023. “Në këto kushte përgënjeshtrojmë çdo deklaratë ku përmendet se Premier League mund të transmetohet përmes kanaleve ‘Arena Sport’, nëpërmjet platformave ‘Artmotion’, ‘Kujtesa’, ‘Telkos’ e të tjera”, thuhet në njoftim.