LAJMET E MBRËMJES

Kryetarët e komunave s’i mbajnë premtimet

Instituti GAP ka prezantuar të enjten raportin për premtimet e kryetarëve të 27 prej 38 komunave. Bazuar në të, rreth 35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave nuk kanë filluar të zbatohen deri në qershor të këtij viti. Arsimi, kultura, ekonomia dhe shërbimet publike janë fushat ku janë realizuar pjesa më e madhe e premtimeve, ndërsa urbanizimi e infrastruktura janë ato që janë “lënë pas dore”

Vetëm tri nga 25 premtimet zgjedhore i ka përmbushur kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, gjatë periudhës dyvjeçare në mandatin e tij të tretë. Për 8 premtimet e tjera nuk është bërë asnjë veprim në realizim të tyre, thuhet në raportin e Institutit GAP.

Në raportin e prezantuar të enjten, rreth 35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave nuk kanë filluar të zbatohen deri në qershor të këtij viti, ndërsa 26 për qind janë përmbushur.

Agron Demi, drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, ka thënë se ndër vite janë rritur premtimet e kryetarëve. Kjo, sipas tij, është për shkak të garës që në zgjedhjet e fundit ka qenë shumë e ngushtë.

“Pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave kanë qenë të rinj dhe kandidatët për kryetarë të komunave e kanë kuptuar që pa punë nuk mund ta risigurojnë mandatin, edhe se nuk e ka askush të garantuar, nuk ka më bastione”, ka thënë Demi.

Sipas tij, bashkëpunimi me kryetarët e komunave ka ndryshuar dukshëm.

“Përderisa në vitin 2009, në kërkesën tonë për komente janë përgjigjur vetëm dy komuna, këtë vit janë 24 komuna të cilat në mënyrë proaktive edhe para se të fillojmë në monitorimin e premtimeve na kanë dërguar informacione”, ka thënë ai.

Arsimi, kultura, ekonomia dhe shërbimet publike janë fushat ku janë realizuar pjesa më e madhe e premtimeve, ndërsa urbanizmi e infrastruktura janë “lënë pas dore”.

Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se nga 1816 premtime që kryetarët e 27 komunave kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 473 premtime rezultojnë të përmbushura.

“285 premtime rezultojnë gjysmë të përmbushura, 422 premtime janë të filluara apo janë evidentuar nisma në përmbushjen e tyre, ndërkaq 636 premtime akoma nuk ka ndonjë ndërmarrje që ato të përmbushen, pra janë jo të përmbushura”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij, 16 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura dhe 23 për qind janë të filluara.

“Në vitin 2017, përkatësisht në vitin 2019 të mandatit të kaluar në periudhën e njëjtë, kur është bërë përditësimi për mandatin e kaluar ka dalë që fusha e infrastrukturës ka qenë fusha ku ka dominuar me numrin e përmbushjes së premtimeve, përderisa në këtë mandat është e kundërta”, ka thënë ai.

Sipas Salihut, nga 199 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushën e infrastrukturës, deri në fund të qershorit të këtij viti dalin të përmbushura vetëm 13.

“Edhe në mandatet e kaluara, por edhe në këtë mandat premtimet që më së vështiri po përmbushen i takojnë fushës së urbanizmit”, ka theksuar ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë më së shumti premtime, gjithsej 206, prej të cilave 29 i ka përfunduar, ndërsa 85 prej tyre ende nuk i ka nisur.

Një numër i madh i premtimeve është bërë edhe nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza. Ai rezulton të ketë kryer më së shumti punë, për të cilat ka dhënë zotim në fushatë. Nga 123 premtime sa i ka dhënë, 41 kanë përfunduar, ndërsa 33 nuk kanë filluar ende.

Gjatë këtij viti, sipas GAP-it, do të bëhen edhe dy përditësime lidhur me progresin e premtimeve nga kryetarët e komunave.