LAJMET E MBRËMJES

Kryespiunia kosovare drejt SHISH-it

Ish-zëvendësshefja e AKI-së, Vlora Hyseni, që për disa muaj ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së këtij institucioni, mund të udhëheqë me Shërbimin e Inteligjencës së Shqipërisë. Ajo është propozuar për këtë pozitë nga kryeministri Edi Rama. Hyseni ishte shkarkuar nga pozita e saj në AKI në qershorin e vitit 2021. Arsyet e shkarkimit nuk u bënë publike asnjëherë, por përfaqësues të opozitës në Shqipëri thanë se kjo është bërë shkaku i rrjedhjes së informacioneve.

Personi që për rreth 4 muaj udhëhoqi me Agjencinë Kosovare të Sigurisë e për disa vjet ishte zëvendësdrejtoreshë e këtij institucioni, Vlora Hyseni, është propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që të udhëheqë me Shërbimin Informativ të shtetit që përfaqëson.

Hyseni në qershorin e vitit 2021 u shkarkua nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, të cilët asnjëherë nuk dhanë sqarime për arsyet e këtij vendimi.

E kryeministri Rama ka arsyetuar propozimin duke përmendur “respektin ndërkombëtar”, që, sipas tij, gëzon Hyseni.

“Sot ia paraqita presidentit të Republikës propozimin për emërimin e znj. Vlora Hyseni drejtore të Shërbimit Informativ të shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të Shërbimit Inteligjent Shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook.

Marrëdhënia profesionale e Ramës me Hysenin nuk është e re. Vetëm dy muaj pasi ajo ishte shkarkuar në Kosovë, atë e emëroi këshilltare për çështje të sigurisë.

Propozimi ka ngjallur reagime të opozitës në Tiranë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka bërë thirrje që dekretimi të mos bëhet, pa siguruar informata nga Kosova për arsyet e shkarkimit.

“Presidenti i Republikës është i detyruar t’i marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në Shërbimet e Inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informojë edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”, ka thënë ai.

Ky deputet thotë se Hyseni është shkarkuar për rrjedhje informatash. Por, kjo nuk është listuar si arsye në njoftimet publike të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës. Në to vetëm ishte thënë se ish-zyrtarja do të duhej t’i mbante konfidenciale informatat, që është obligim ligjor për secilin person që ka punuar në AKI.

Të premten KOHA ka adresuar pyetje në Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Hyseni ka punuar gjatë në këtë AKI. Fillimisht ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë, e në shkurt të vitit 2019 është emëruar zëvendësdrejtoreshë. Ndërkaq, në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës është vënë që nga dhjetori i vitit 2020 kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prillin e vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajet.