LAJMET E MBRËMJES

Kryeparlamentari Glauk Konjufca shpallet i pafajshëm lidhur me gazin lotsjellës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është liruar nga akuzat për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo akuzë ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në një mbledhjen të kryesisë së Kuvendit, ku ishte i paraparë procedimi ligjor i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, nga akuza për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht 2016.

Shpallja e aktgjykimit u bë në mungesë të Konjufcës.

Gjyqtarja Edita Çanta tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Avokatja e Konjufcës në bazë të detyrës zyrtare, Abnore Zeqiri, e ka quajtur të drejtë dhe të pritur vendimin lidhur me lirimin e kryeparlamentarit.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 2017 dhe përmbante edhe akuzën për veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo ndjekja për këtë vepër penale është parashkruar vitin e kaluar.

Në mbledhjen e vitit 2016, ku u hodh gaz lotsjellës në rend dite ishte futja në agjendë legjislative e Marrëveshjes për Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Atëkohë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Përdorimin e gazit lotsjellës si formë kundërshtimi në Kuvend e pati konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti në një shqyrtim gjyqësor para më shumë se gjashtë vjetësh.

Deri më tani, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, është dënuar vetëm ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Çaushi.

Më 12 tetor 2021, Çaushi ishte dënuar nga Gjykata Themelore me 14 muaj burgim me kusht, e më 13 prill të vitit 2022, atij i ishte vërtetuar dënimi nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa me nga 200 euro gjobë, për të njëjtën vepër penale janë dënuar ish-deputetet e Kuvendit, Donika Kadaj Bujupi dhe Aida Dërguti.