Në Konferencën e dytë vjetore të Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqe Botërore, kryeministri Albin Kurti është zotuar se do të angazhohet për rritjen e pjesëmarrjes së grave në institucionet e sigurisë. Aktualisht, në Policinë e Kosovës afro 15 për qind e punonjësve janë gra, ndërsa në FSK më pak se 10 për qind.
Kryeministri Albin Kurti është zotuar se do të bëjë përpjekje për ta rritur pjesëmarrjen e grave në institucionet e sigurisë.
Në konferencën e dytë vjetore të Federatës ndërkombëtare të Grave për paqe botërore që po mbahet në Prishtinë, kryeministri tha se s’ka paqe pa gratë.
“Institucionet e sigurisë janë të sigurta pikërisht me pjesëmarrjen e këtyre grave dhe ato ofrojnë siguri në shoqëri. Në këtë drejtim, një prej objektivave strategjike të Programit në Kosovë për Barazi Gjinore 2020-2024 është avancimi i realizimit të drejtave në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi”, tha Kurti.
Aktualisht, në Policinë e Kosovës afro 15 për qind e punonjësve janë gra, duke përfshirë 1 mijë e 38 në uniformë dhe 286 që janë pjesë e stafit civil.
Ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, gra janë gjithsej 9.75 për qind të punonjësve apo 401 ushtarake dhe punonjëse civile.
Presidentja e Federatës Ndërkombëtare të Grave për Paqe Botërore, Moriko Hori, tha se gratë janë të rëndësishme për sigurinë dhe paqen në rajon.
“Është me rëndësi që sot ta njohim dhe pranojmë rëndësinë që e kanë gratë për sigurinë dhe paqen në rajon. Gratë kanë qenë agjendë e paqes dhe kanë promovuar dialogun dhe pajtimin”, tha Hori.
Gjatë ditës është lansuar edhe projekti “Instrumenti për barazinë gjinore”, që ka për qëllim zhvillimin e barabartë socio-ekonomik për gratë dhe burrat në Kosovë.