LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri paralajmëron hapjen e një materniteti në Leposaviq

Kryeministri Albin Kurti ka ndarë detaje nga vizita që të mërkurën ka pasur në Komunën e Leposaviqit. Aty tha se për dy ditë do të qëndrojë mamografi mobil, derisa bëri të ditur edhe për planet që një objekt në këtë komunë ta kthejnë në maternitet

Hapjen e një spitali të lindjes në Leposaviq, synon ta bëjë Qeveria e Kosovës.

Pas vizitës që paraditen e së mërkurës ia bëri kësaj komune, kryeministri Albin Kurti tha se kanë parë nga afër një objekt që planifikojnë ta kthejnë në maternitet.

"Bashkë me ministrin Vitia, pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet, që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që ato të mos kenë nevojë që ta kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë me dhjetëra kilometra, edhe mbi 50 kilometra deri në Novi-Pazar, ku më pastaj edhe po ua regjistrojnë foshnjat si qytetarë e si banorë të Serbisë”, tha Kurti.

Leposaviqin Kurti tha se e ka vizituar pasi për dy ditë, aty do të qëndrojë mamografi mobil, i cili do t’ua mundësojë grave dhe vajzave kontrollet e nevojshme.  

“Kujtojmë që ky muaj shënon edhe tetorin rozë, si thirrje për ngritjen e vetëdijes për rrezikun e kancerit të gjirit, ku vetëkontrollat, vizitat mjekësore e mamografia, duhet të bëhen pjesë e rutinës, sepse janë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje. Pas Leposaviqit, mamografi do të vazhdojë drejt Komunës së Vitisë, gjersa më herët ka qenë edhe në komunën veriore të Mitrovicës”, deklaroi Kurti.

Në mbledhjen e ekzekutivit, Kurti e vartësit e tij, miratuan një varg vendimesh, në mesin e tyre edhe agjendën e reformave që planifikohet të realizohen në kuadër të Planit të Rritjes.

Detajet për agjendën e miratuar, pas mbledhjes së Qeverisë, i dha zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Sipas tij, nga ky plan, Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro.

“Nga kjo shumë, rreth një e treta apo diku 253,3 milionë euro janë grante, kurse pjesa tjetër janë hua afatgjate apo 629,3 milionë euro. Kjo nënkupton që këto hua fillojnë të kthehen pas 10 viteve edhe atë me normë jashtëzakonisht atraktive të interesit dhe kthehen për një periudhë 40-vjeçare. Gjysma e fondeve, pasi të zbatohen reformat, shkojnë direkt në buxhetin e shtetit si mbështetje direkte buxhetore, kurse pjesën tjetër pastaj e thithim përmes projekteve investive në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor, që njihet si WBIF”, tha Bislimi.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për shërbimet e pagesave.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, përmes këtij projektligji, Kosovës i hapet rruga për integrim në sistemin financiar me zonën SEPA. 

Murati tha se me integrimin në këtë sistem, bizneset dhe qytetarët tanë parashihet të kursejnë rreth 50 milionë euro në vit nga tarifat e transfereve.

Gjatë kësaj jave, Qeveria pritet t’i ndajë 200 mijë euro për t`i dalë në ndihmë Bosnjës, pas vërshimeve të javës së shkuar, propozim ky, të cilin në Qeveri e prezantoi ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.